Shqipëria Postuar më 11 Korrik 2025, 11:57

34 milionë euro shtesë për bujqësinë - Fermerët marrin pjesën më të madhe. Si parashikohet financimi deri në 2028-ën

Nga Elisabeta Dosku

34 milionë euro shtesë për bujqësinë - Fermerët
Mbështetja financiare për sektorin bujqësor në vend do të vijojë të rritet dhe pse në raport me nevojat që ka, fondet e akorduara sërish janë në nivel të ulët.

Në buxhetin afatmesëm 2025-2028 të publikuar në Fletoren Zyrtare, parashikohet një rritje e lehtë progresive e buxhetit për bujqësinë nga viti në vit.

Konkretisht nga 146 milionë euro të programuara për tu shpenzuar në 2025-ën, në vitin 2026 buxheti shkon në 151 milionë euro, në 2027 në 156 milionë euro dhe në 2028 parashikohet të arrijë në rreth 180 milionë euro.

Kapërcimi nga buxheti i këtij viti, deri në 2028-ën regjistrohet në 34 milionë euro.

Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, buxheti mbetet në nivele të njëjta si përgjatë këtij viti edhe në 2028-ën, në 0.56 % të PBB.

Peshën më të madhe në buxhetin për bujqësinë e ka zëri i zhvillimit rural duke mbështetur prodhimin bujqësor, blegtoral dhe agroindustrial, ku fondet e parashikuara kapërcejnë nga 72 milionë euro që parashikohen gjatë këtij viti në 98 milionë euro në 2028-ën, me një rritje prej 28 milionë euro.

Në këtë zë përfshihen edhe fondet e akorduara për mbështetjen e fermerëve përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi e cila vitet e fundit ka qenë rreth 30 milionë euro në vit, promovimin etj.

Për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen  e konsumatorit në vend parashikohet një buxhet në ulje nga 26 milionë euro në 2025 në 24 milionë euro në 2028-ën.

Po ashtu edhe fondet për menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes, parashikohen në ulje, nga 29 milionë euro në 2025, në 22 milionë euro në 2028, me rënie prej 7 milionë euro.

Ndërsa mbështetja për peshkimin parashikohet të dyfishohet deri në vitin 2028, duke arritur në rreth 12 milionë euro.

Qeveria parashikon që përmes financimeve të rrisë punësimin në zonat rurale dhe volumin e eksporteve, i cili synohet të arrijë një shifër prej 620 milionë euro në vitin 2028.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat