Shqipëria Postuar më 23 Prill 2025, 11:13

310 euro për çdo banor në Shqipëri - Rriten shpenzimet e bashkive për frymë, ulen investimet

Nga Elisabeta Dosku

310 euro për çdo banor në Shqipëri - Rriten shpenzimet e

Shpenzimet e bashkive për frymë kanë pësuar një rritje të ndjeshme nga viti në vit. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se nga 10.638 lekë që shpenzoheshin në vitin 2013, rritja ka qenë graduale, duke arritur në 30.973 lekë apo rreth 310 euro në vitin 2024.

Kapërcimi në raport me një vit më parë, ku shpenzimet regjistroheshin në 28.656 lekë për banor, rezulton të ketë një rritje me 2317 lekë apo rreth 24 euro.

Nga këto, mesatarisht gjysma e këtyre shpenzimeve për banor është financuar nga të ardhurat e veta të bashkive dhe gjysma tjetër kryesisht nga transferta e pakushtëzuar dhe sektoriale.

Në total përgjatë vitit që lamë pas bashkitë kanë shpenzuar një buxhet prej 74.4 miliardë lekësh, me një rritje prej 5.6 miliardë lekësh në raport me një vit më parë.

Në tërësi, struktura e shpenzimeve të bashkive në Shqipëri diktohet nga funksionet e njësive të qeverisjes vendore dhe burimeve të financimit përkatëse. Sektori me peshën më të lartë në shpenzimet vendore nga burime të pakushtëzuara në vitin 2024 janë çështjet ekonomike, ku përfshihen mes të tjerash bujqësia, administrimi i pyjeve, ujitja dhe kullimi, turizmi dhe transporti, ndjekur nga sektori i shërbimeve të përgjithshme publike dhe arsimi Pesha e këtyre shpenzimeve të pushtetit vendor sipas funksioneve paraqet qartë rëndësinë që kanë këto shpenzime në raport me shërbimet publike që njësitë e vetëqeverisjes vendore ushtrojnë.

Të dhënat mbi shpenzimet vendore sipas strukturës ekonomike tregojnë se pjesën më të madhe e zënë shpenzimet për paga dhe sigurime të personelit, në masën 45.7 për qind, një tregues ky që ka pësuar rritje me 2.6 % në raport me një vit më parë. Më pas renditen shpenzimet operative, kryesisht blerje dhe mirëmbajtje, në 34.8%,  me një rritje prej 1.9 %. Ndërsa shpenzimet për investime zënë vetëm 19.5 % të buxhetit total përgjatë vitit 2024 dhe kjo shifër ka ardhur në rënie me 4.5 % në raport me vitin e kaluar.  

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat