Shqipëria Postuar më 15 Janar 2026, 10:43

30% zbritje të tatim fitimit për sponsorizimet - Krijohet Regjistri Elektronik Kombëtar për Donacionet, kufizime për dhuruesit

Nga Elisabeta Dosku

30% zbritje të tatim fitimit për sponsorizimet - Krijohet Regjistri

Sponsorizuesit që kontribuojnë në fushën e artit, sportit ose kulturës do të përfitojnë lehtësi fiskale përmes zbritjes direkte deri në masën 30 % nga tatimi mbi fitimin, si në rastin kur sponsorizimi është në vlerë monetare, ashtu edhe atyre në natyrë, duke garantuar një trajtim të favorshëm fiskal dhe nxitje konkrete për angazhimin e sektorit privat.  Po ashtu të ardhurat e përfituara nga sponsorizimi përjashtohen nga tatimi për përfituesit dhe nuk ndikojnë në rezultatin financiar të tyre për qëllime tatimore.

Qeveria ka publikuar për konsultim publik një projektligj tërësisht të ri për donacionet dhe sponsorizimet, me qëllim forcimin e identitetit kulturor, zhvillimin e qëndrueshëm artistik e kulturor, promovimin e sportit, promovimin territorial, si dhe rritjen e kohezionit social, në përputhje me prioritetet e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit dhe Integrimit.

Projektligji zgjeron fushat për të cilat lejohen donacionet dhe sponsorizimet dhe bën dallimin midis dy koncepteve. Konkretisht, donacion konsiderohet transferimi vullnetar, i pakushtëzuar  dhe pa asnjë përfitim i kontributeve financiare, pasurisë së luajtshme ose të paluajtshme, ofrimit të shërbimeve ose i formave të tjera të mbështetjes për veprimtari me interes publik të organeve publike. Nga ana tjetër, sponsorizim konsiderohet një marrëveshje kontraktuale me anë të së cilës sponsorizuesi ofron me vullnet të lirë mbështetje financiare, materiale ose forma të tjera mbështetjeje për një veprimtari, aktivitet ose organizim për interes publik, në këmbim të së drejtës për të promovuar dhe reklamuar emrin, produktet ose shërbimet e tij.

Referuar draftit, për herë të parë parashikohet që Shqipëria të ketë një Regjistër Elektronik Kombëtar për Donacionet dhe Sponsorizimet. Ky regjistër do të jetë i  aksesueshëm nga publiku në çdo kohë në faqen zyrtare në internet të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të dhënat që lidhen me donacionet dhe sponsorizimet e organeve publike.  Çdo donacion për organet publike mbi vlerën 500.000 lekë dhe të gjitha sponsorizimet do duhet të regjistrohen në këtë regjistër.

Organet ligj zbatuese që kanë kompetenca në luftën kundër pastrimit të parave, korrupsionit dhe terrorizmit do të kenë akses të pakufizuar në Regjistër për të dhënat që lidhen si me organet publike ashtu edhe për subjektet e tjera përfituese të sponsorizimeve, donatorët e organeve publike dhe sponsorizuesit.

Duke qenë se donacionet dhe sponsorizimet konsiderohen si veprimtari me risk të lartë për ndikim të paligjshëm, qarkullim dhe pastrim parash apo për përfitime të paligjshme, projektligji ka kufizuar disa kategori personash fizikë dhe juridike për të qenë donatorë dhe sponsorizues për organet publike ( personat fizikë dhe juridikë të dënuar për vepra të lidhura me korrupsionin aktiv ose pasiv, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, trafikimin e paligjshëm, evazionin fiskal, mospagimin e detyrimeve tatimore, falsifikimin e dokumenteve, ose kanë aktivitet që reklamon lojërat e fatit, duhanin, alkoolin etj.) Të njëjtat kritere do të aplikohen edhe për sponsorizimet e një organizate jofitimprurëse, organizatat sportive shoqëritë sportive, subjektet tregtare në fushën e prodhimit të filmit dhe industrisë audiovizive dhe individët që përfaqësojnë Republikën e Shqipërisë në aktivitete ndërkombëtare të kulturës, artit, sportit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat