Shqipëria Postuar më 21 Shkurt 2026, 11:05

30 mijë tatimpagues kanë plotësuar DIVA-n/ Priten 200 mijë deklarata në total, shkak rimbursimet

Nga Elisabeta Dosku

30 mijë tatimpagues kanë plotësuar DIVA-n/ Priten 200 mijë

Afro 30 mijë tatimpagues deri më tani kanë plotësuar Deklaratën Individuale Vjetore të të ardhurave, DIVA 2025, afati përfundimtar i së cilës është më 31 Mars.

Ndërkohë që pritshmëritë e administratës tatimore janë që kjo deklaratë të plotësohet nga afro 200 mijë individë, nga 140 mijë qe kanë deklaruar në vitin 2024. Kjo për shkak të aplikimit për herë të parë të zbritjeve tatimore për fëmijët në ngarkim dhe shpenzimet arsimore, nga të cilat përfitojnë jo vetëm individët me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë por edhe ata nën 1.2 milionë lekë, të cilët pvarësisht se nuk e kanë detyrim, nxiten që të deklarojnë vullnetarisht në mënyrë që të mund të marrin rimbursimin që u takon, nëse rezultojnë me tepricë kreditore.

Këtë vit individët me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë kanë të drejtën e përfitimit të zbritjes për numrin e fëmijëve në ngarkim dhe personat me të ardhura nën 1.2 milionë lekë kanë të drejtën, që përveç fëmijëve në ngarkim të përfitojnë dhe zbritje tatimore për shpenzimet arsimore .

Administrata Tatimore bën me dije se afati i deklarimit dhe pagesës së DIVA 2025, sipas ligjit të ri është 31 marsi 2026 dhe se subjekt deklarimi me detyrim për vitin 2025 janë ata individë që kanë realizuar të ardhura bruto vjetore 1.2 milionë lekë ose më shumë nga të gjitha burimet, jo vetëm nga paga; Kanë qenë në më shumë se 1 marrëdhënie punësimi gjatë të paktën 1 muaji apo ata që gjatë vitit 2025 kanë realizuar të ardhura më shumë se 50.000 lekë, për të cilat nuk është mbajtur tatim (shembull: Qiradhënie për individë të paregjistruar, si: Qira ditore apo nga platformat Booking, AirBnB etj).

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat