Shqipëria Postuar më 21 Nëntor 2025, 17:36

3 kushte që Evropa të zgjerohet - Mogherini: Shqipëria e ka vullnetin politik. Duhen edhe kapacitetet teknike

Nga Ledina Elezi

3 kushte që Evropa të zgjerohet - Mogherini: Shqipëria e ka

Është çelur viti akademik 2025-2026 për 41 studentët e Kolegjit të Evropës në Tiranë. Të pranishëm në ceremoni ishin Kryeministri Edi Rama dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini. Ky është viti i dytë që Kolegji i Evropës në Tiranë mirëpret studentë nga 24 kombësi të ndryshme, ndërsa po ndërtohet edhe një kampus i ri në Qytetin Studenti për ta.

Gjatë fjalës së saj, Mogherini u shpreh se duhet të plotësohen 3 kushte që Evropa të zgjerohet dhe ribashkohet, duke nisur nga vullneti politik te kapacitetet institucionale dhe shoqërore.

“Ne jemi këtu të gjithë së bashku për ta bërë integrimin evropian sukses dhe shndërrimin në të vërtetë, pra zgjerimin ose ribashkimin e Evropës dhe kjo do të ndodhë nëse plotësohen 3 kushte. Së pari, vullneti politik në vendet kandidate dhe këtu mendoj që nuk ka pikë dyshimi që kjo ekziston, e dyta është edhe vullneti politik gjithashtu brenda shteteve anëtare, tek institucionet e BE dhe së treti, kapacitetet e shoqërisë, institucioneve që të kryejnë këto reforma madhore dhe të ruajnë ritmin e tyre, por edhe kapacitetet teknike dhe mendoj që kjo është një nga ato gjëra që është në vëmendjen e të gjithëve. Prandaj jemi në Tiranë, për të kontribuar për të paktën 2 prej tyre”, u shpreh Mogherini.

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama theksoi se ribashkimi i Evropës do të sjellë paqe dhe mundësi të reja.

“Janë 5 të vërteta sipas këndvështrimit tim që duhet të drejtojë brezat e rinj. Ribashkimi shëron historinë dhe e kemi parë. Nisi me Francën dhe Gjermaninë edhe ai midis 2 Gjermanive.  Ribashkimi zgjeron paqen. Çdo zgjerim nuk ka zgjeruar vetëm gjeografinë, por edhe paqen dhe e ka bërë luftën të paimagjinueshme. Ribashkimi përmbush premtimin e Evropës, Selanik 2003. Ribashkimi sjell energji, mundësi të reja. Kështu ka ndodhur me valën e mëparshme të zgjerimit dhe kështu do të jetë në bashkimin e Ballkanit Perëndimor me BE. Sepse kush bëhet anëtar nuk është barrë. Një Evropë e përçarë është më e lehtë për t'u manipuluar. Një Evropë e bashkuar është e pamundur të mposhtet. Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, ne vazhdojmë me punën tonë. Ne nuk kërkojmë privilegj, vetëm nderin që t'i shërbejmë Evropës dhe Evropa paqes”, tha Rama.

Rama u ndal edhe në të kaluarën komuniste të Shqipërisë, e cila na privoi për gjysëm shekulli nga Evropa, por sipas tij na shndërroi ndër ata që e donin më me zjarr Evropën.  

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat