Shqipëria Postuar më 13 Mars 2026, 11:40

2.962 shtetas shqiptarë, rezidentë në Lindjen e Mesme - Ministri Ferit Hoxha: Siguria e tyre, prioritet madhor i Qeverisë Shqiptare

Nga SCAN TV

2.962 shtetas shqiptarë, rezidentë në Lindjen e Mesme - Ministri

Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, raportoi në Komisionin parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme mbi masat e marra nga autoritetet shqiptare për mbrojtjen dhe asistencën ndaj shtetasve shqiptarë që ndodhen në rajonin e Lindjes së Mesme.

“Si shume vende të tjera, në Evropë e përtej, Shqipëria është e prekur në aspektin politik e humanitar nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe nga përshkallëzimi i situatës së sigurisë në  rajon. Kjo edhe për faktin se në vendet e prekura nga kriza jetojnë e punojnë qytetarë shqiptarë, siguria e të cilëve mbetet prioritet madhor i Qeverisë Shqiptare dhe Shërbimit të Jashtëm në veçanti”, u shpreh ministri.

Sipas tij, që me fillimin e krizës, në Ministri është ngritur dhe ka funksionuar një shtab i posaçëm, i cili në bashkëpunim me ekipin drejtues dhe në koordinim të ngushtë e të pandërprerë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, ka ndjekur e vazhdon të ndjekë, në mënyrë të pandërprerë, në 24 orë, dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të  drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë si dhe me autoritetet në vendet përkatese.

Ministri i Jashtëm tha se 2.962 shtetas shqiptarë janë rezidentë në rajon, ndërsa 543 shtetas janë udhëtarë. Janë kontaktuar nga ambasadat individualisht, 2511 shtetas, të interesuar për t'u larguar nga zona e konfliktit janë 138 shtetas, të asistuar/udhëzuar për t’u larguar në forma të ndryshme 703 shtetas dhe të larguar individualisht janë 24 shtetas.

Të planifikuar për t'u larguar individualisht sipas mënyrave të sigurta të transportit janë 45 shtetas.

“Kryeministri Rama dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, janë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorët tanë në këtë rajon, për të marrë informacionin e përditësuar në kohë reale mbi situatën e sigurisë në këtë rajon, si dhe analizojnë shqetësimet,  nevoja, si dhe propozojnë masat që duhen marrë për qytetarët shqiptarë rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende”, u shpreh ministry Ferit Hoxha.

Sipas tij, pavarësisht nga përshkallëzimi i situatës, pavarësisht përkeqësimit të situatës së sigurisë, ndryshe nga shumë vende të tjera, Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë prej përfaqësive diplomatike, duke vënë në plan të parë nevojën për të ndjekur zhvillimet dhe për të asistuar shtetasit tanë atje. Jo se nuk ka patur respekt për stafet diplomatike, por sepse ka qenë e domosdoshme të kemi njerëzit tanë atje në terren, për të komunikuar e asistuar qytetarët tanë atje.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat