Shqipëria Postuar më 20 Shkurt 2025, 15:10

265 pasuri të konfiskuara në të gjithë vendin - Shumica prej tyre ndërtesa për banim, apartamente dhe toka arë në Tiranë

Nga Ledina Elezi

265 pasuri të konfiskuara në të gjithë vendin - Shumica prej

Sipas Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në Shqipëri rezutojnë të jenë konfiskuar rreth 265 pasuri.

Kjo agjenci ka publikuar së fundmi një katalog që përmban një listë të detajuar të pasurive të konfiskuara me vendim gjykate të formës së prerë, duke përfshirë informacion të plotë mbi llojin, vendndodhjen dhe statusin aktual të tyre.

Shumica e këtyre pasurive rezultojnë të jenë konfiskuar në Tiranë, ndërsa pjesa e mbetur gjendet e shpërndarë në qytetet e tjera të vendit. Konkretisht, në kryeqytet janë konfiskuar 51 pasuri, shumica prej të cilave godina banimi, apartamente, garazh, apo tokë arë.

Të dhënat e katalogut tregojnë se 18 pasuri janë të llojit apartament, 8 pasuri të llojit ndërtesë, godinë banimi, apo truall bashkë, 5 toka arë, 3 dyqane veshjesh (njëra prej të cilave me truall), 2 biznese të tipit bar-kafe, 4 pasuri të llojit garazh (disa edhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën), 1 njësi exchange, bilardo, fast food, pastiçeri dhe shumë të tjera.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara merr në dorëzim nga Policia e Shtetit dhe administron pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nga grupet e krimit, apo persona të tjerë. Këto pasuri të cilat kalojnë në duart e shtetit, mund të nxirren nga ky i fundit në shitje ose të jepen me qira.

Ndërkohë, gjatë këtij viti pritet të krijohet edhe Zyra për Rikuperimin e Pasurive, e cila do të merret me gjurmimin e pasurive nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Në Agjendën Kombëtare të Reformave 2021-2027, parashikohet që kjo zyrë të veprojë si Njësi Kombëtare Koordinuese dhe pikë kontakti rajonale ose ndërkombëtare, duke kontribuar në përmirësimin e konfiskimeve.

Deri në fund të vitit 2026, synohet që rreth 50% e numrit dhe vlerës së pasurive të konfiskuara të ripërdoren brenda 6 muajve nga konfiskimi, duke përfshirë këtu edhe ripërdorimin social të tyre.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat