Shqipëria Postuar më 29 Dhjetor 2025, 10:31

260 mijë certifikata pronësie të lëshuara në 2025 - ASHK: Shërbimi elektronik u vjen në ndihmë qytetarëve

Nga Ernilda Luzi

260 mijë certifikata pronësie të lëshuara në 2025 -

Agjencia Shtetërore e Kadastrës bëri të ditur se janë dhënë mbi 260 mijë certifikata pronësie gjatë vitit 2025. Ky numër shënon një rritje prej 53% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja vjen si rezultat i digjitalizimit të proceseve dhe thjeshtimit të procedurave administrative. Lëshimi i certifikatave të pronësisë konsiderohet një hap i rëndësishëm për garantimin e sigurisë juridike të pronës, si dhe për nxitjen e investimeve dhe zhvillimit ekonomik në vend.

Të gjithë këto tituj pronësie, përfshijnë apartamente, dyqane, garazhe e ambiente të tjera, të cilat do të jenë pjesë e qarkullimit civil dhe pronarët e tyre mund t’i shesin, dhurojnë, trashëgojnë apo t’i përdorin si garanci për kredi hipotekore pranë bankave të nivelit të dytë.

Ndërkohë, shërbimi elektronik "Lëshim certifikate pronësie" u vjen në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve që të dërgojnë online një aplikim për pajisje certifikate pronësie. Për çdo pasuri të paluajtshme, të regjistruar në kartelën përkatëse, për të vërtetuar të drejtat e pronësisë apo të drejtat e tjera reale, të krijuara në bazë të akteve të ndryshme ligjore, lëshohet vetëm një certifikatë. Kjo certifikatë i lëshohet pronarit të vetëm të pasurisë ose njërit prej pronarëve në rastet e bashkëpronësisë të autorizuar rregullisht sipas legjislacionit në fuqi.

Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit.

Po kështu, çdo tarifë për shërbimin në ASHK, paguhet në llogarinë bankare të agjencisë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat