Shqipëria Postuar më 4 Korrik 2026, 13:25

2.54 mld lekë për rrugën Kombinat – Ndroq – Plepa/ ARRSH hap tenderin edhe për lotin 2, në total 9.25 km në prokurim

Nga Ola Mitre

2.54 mld lekë për rrugën Kombinat – Ndroq – Plepa/

Dy ditë pas tenderit për lotin 3, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurën e tenderimit edhe për lotin 2 të rrugës Kombinat – Ndroq – Plepa, duke vijuar zbatimin me faza të një prej akseve alternative që lidh Tiranën me jugun e vendit.

Sipas dokumenteve të tenderit, fondi limit i procedurës është 1.18 mld lekë, ndërsa segmenti që do të rikonstruktohet ka një gjatësi prej gati 4.9 km.

Hapja e tenderit për lotin 2 vjen vetëm pak ditë pasi ARRSH publikoi edhe procedurën për lotin 3, me një fond limit prej rreth 1.36 miliardë lekësh, që mbulon një segment me gjatësi rreth 4.35 kilometra. Në total, fondi limit për të 2 lotet që janë në tenderim shkon në gati 2.54 mld lekë, ndërsa gjatësia e segmenteve, rreth 9.25 km.

Ndërkohë, loti 1 i këtij aksi është tashmë në zbatim. Kontrata u nënshkrua në shtator të vitit 2024 me bashkimin e operatorëve “Arifaj” dhe “Eurokos Holding”, me një vlerë prej 567.75 milionë lekësh, pa TVSH.

Rruga Kombinat – Ndroq – Plepa, me një gjatësi totale prej rreth 28 kilometrash, konsiderohet një aks alternativ i rëndësishëm që lidh kryeqytetin me Durrësin dhe zonat jugore të vendit. Sipas dokumentacionit të projektit, segmenti përshkon zona me densitet të lartë banimi dhe ka pësuar amortizim të konsiderueshëm ndër vite, çka ka ndikuar në uljen e parametrave të sigurisë dhe të qarkullimit. Përmes rikonstruksionit synohet përmirësimi i infrastrukturës, rritja e sigurisë rrugore dhe lehtësimi i lëvizjes për banorët dhe automjetet që përdorin këtë aks.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat