Shqipëria Postuar më 21 Shkurt 2025, 16:23

250 mln lekë për kompensimin e dëmeve nga aksidentet - AMF miraton vendimin për vitin 2025. A do te jetë i mjaftueshëm?

Nga Ledina Elezi

250 mln lekë për kompensimin e dëmeve nga aksidentet - AMF

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar fondin e kompensimit nga dëmet në sektorin e transportit për vitin 2025, që do të jetë në masën e 250 milionë lekëve.  

Në vendim parashikohet edhe që provigjonet e dëmeve të fondit të kompensimit, të krijohen në vlerën prej 552 milionë lekësh, të cilat do të pasqyrohen nga shoqëritë e sigurimit, në pasqyrat financiare të vitit 2024. Por, a është i mjaftueshëm ky fond prej 250 milionë lekësh për të paguar të gjitha dëmet?

Në 2024, masa e kontributit për Fondin e Kompensimit ishte 270 milionë lekë. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dëmet e paguara nga Fondi i Kompensimit gjatë vitit të kaluar rezultuan në 350 milionë lekë, rreth 80 milionë më tepër se shuma fillestare e përcaktuar e Fondit. Nga ana tjetër, dëmet e mbetura pezull nga ky Fond, pra që nuk janë paguar akoma për shkaqe të ndryshme, kapën  vlerën e 688 milionë lekëve në vitin që lamë pas. 

Byroja Shqiptare e Sigurimit është administruese e Fondit të Kompensimit, përgjegjëse për pagesën e dëmeve të aksidenteve automobilistike, shkaktuar nga mjete të pasiguruara apo të paidentifikuara.

Palët e dëmtuara në një aksident automobilistik brenda territorit të Shqipërisë, shkaktuar nga një mjet i pasiguruar apo i paidentifikuar, kanë të drejtën e dëmshpërblimit nga Byroja Shqiptare e Sigurimit, e konkretisht Fondi i Kompensimit.

Shoqëritë e sigurimit, anëtare të Byrosë Shqiptare të Sigurimit, të cilat ushtrojnë veprimtari në vendin tonë në sigurimin e detyrueshëm motorik, janë të detyruara të kontribuojnë cdo vit financiarisht në fondin e kompensimit, në përpjestim të drejtë me primet bruto, të shkruara në këto lloj sigurimesh, në vitin paraardhës.

 

Live TV

Të fundit
30 Nëntor

...

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

30 Nëntor

...