Shqipëria Postuar më 11 Mars 2025, 11:33

245 mln euro kontribute të papaguara të punonjësve - Bizneset nuk paguajnë në afat detyrimet. Vite pune, të “humbura”

Nga Elisabeta Dosku

245 mln euro kontribute të papaguara të punonjësve - Bizneset nuk

Shumë punonjës në vend, pavarësisht se janë në marrëdhënie formale pune, përballen me kontribute shoqërore dhe shëndetësore të papaguara në afat nga punëdhënësit e tyre.

Referuar të dhënave zyrtare nga tatimet, janë afro 24.4 miliardë lekë apo 245 milionë euro kontribute të papaguara për punonjësit ndër vite.

Gjatë viti 2024 borxhi i krijuar rishtazi nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të papaguara në afat, është rritur me afro 19 milionë euro, çka është shqetësuese për të punësuarit. Sipas ligjit, nëse punonjësit nuk derdhin kontribute, pavarësisht se janë në marrëdhënie punësimi, ato nuk njihen si vite pune për efekt pensioni.

Ndërkohë, bizneset në vend kanë një vlerë totale detyrimesh tatimore të papaguara në afat ndaj administratës tatimore që llogaritet në 162.5 miliardë lekë.

Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tregojnë se pjesa më e madhe janë borxhe të trashëguara ndër vite, pasi gjendja e debisë në datë 01 janar 2024 rezultonte 155.2 miliardë lekë ndërsa në 31 dhjetor 2024, arriti 162.5 miliardë lekë.

E thënë ndryshe, përgjatë vitit 2024, detyrimet tatimore kanë pësuar një rritje neto me 7.37 miliardë lekësh apo 74 milionë euro.

Por si është i ndarë borxhi tatimor sipas zërave?

Në stokun e detyrimeve të papaguara në afat të ndarë sipas llojit të tatimit, TVSH zë peshën më të madhe në stokun e borxhit me 35% në vlerë rreth 57.2 miliardë lekë, e ndjekur nga Tatim Fitimi me 29% në vlerë 47.2 miliardë lekë. Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore të papaguara në afat për të punësuarit të vend, zënë rreth 15 % e totalit të borxhit.

Ndërsa zërat e tjerë kanë një peshë më të ulët siç janë, siç është Tatimi në Burim 6.4 miliardë lekë, TAP me  në vlerë 2,7 miliardë lekë dhe DIVA në vlerë 636 milionë lekë.

Referuar moshës së borxhit, detyrimet me vjetërsi mbi 2 vjet llogariten në një vlerë prej 137.6 miliardë lekë dhe zënë 84.7% ndaj totalit të stokut.

Nga të dhënat e mësipërme rezulton se principali i detyrimeve tatimore të akumuluara përbën rreth 62% të shumës totale të detyrimeve tatimore, ndërkohë që pjesa tjetër e këtyre detyrimeve 38% e mbetur përbëhet nga penalitetet dhe kamatëvonesat.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat