Shqipëria Postuar më 19 Korrik 2025, 09:53

2.45 mld lekë për ujësjellës - kanalizime, në 4 muaj/ Kryesojnë shpenzimet me financim të brendshëm, financimi i huaj me rritje të ndjeshme

Nga Ola Mitre

2.45 mld lekë për ujësjellës - kanalizime, në 4 muaj/

Shpenzimet kapitale në sektorin e ujësjellës - kanalizimeve arritën në 2.45 mld lekë përgjatë 4 - mujorit të parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Raporti i Monitorimit të Buxhetit, i publikuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë realizimi i shpenzimeve kapitale me financim të brendshëm rezulton më i ulët si në vlerë nominale, ashtu edhe në përqindje, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë që, shpenzimet kapitale me financim të huaj shënuan një rritje si në vlerë, ashtu edhe në përqindje.

Më konkretisht, për periudhën janar – prill, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe shoqëritë e krijuara nga Reforma e Ujit shpenzuan 1.6 mld lekë për ndërtim apo rikonstruksion të rrjeteve të ujësjellësve dhe kanalizimeve, apo 14% e buxhetit të parashikuar. Për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar këto shpenzime me financim të brendshëm ishin 23.7% e parashikimit dhe gati 2.1 mld lekë në vlerë nominale.

Ndërkaq, realizimi për shpenzimet me financim të huaj për 4 -mujorin 2025 ka arritur në 843.4 mln lekë apo 38% e parashikimit. Vitin që shkoi shpenzimet për periudhën 4 - mujore ishin 77 mln lekë, apo sa 2.4% e parashikimit.

Shpenzimet kapitale me financim të huaj realizohen nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe njësitë e menaxhimit të projekteve në varësi të saj, përmes një sërë iniciativash. Në fokus të investimeve janë programet e Infrastrukturës Bashkiake III, IV dhe V, që përfshijnë komponente si kreditë dhe grantet, duke mundësuar rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjeteve ujësjellës dhe kanalizime në disa bashki të vendit. Paralelisht, po zbatohet Programi Kombëtar i Modernizimit të Sektorit të Ujësjellës - Kanalizimeve, i cili synon rritjen e eficiencës së shërbimeve dhe përmirësimin e cilësisë për qytetarët. Në Durrës, projekti i rikonstruksionit të rrjetit të brendshëm të ujësjellësit është një ndër investimet kyçe, që po zbatohet përmes një kombinimi kredie dhe granti. Po ashtu, në kryeqytet është në zhvillim Projekti i kanalizimeve për zonën e “Tiranës së Madhe”. Këto investime të mbështetura nga partnerë ndërkombëtarë si BE, KfË apo BERZH.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat