Shqipëria Postuar më 21 Prill 2025, 12:56

206 mln euro për dëmet nga tërmeti - Sa mund të paguajnë kompanitë e sigurimit? AMF: Risigurimet u rritën me 4% në 2024

Nga Ledina Elezi

206 mln euro për dëmet nga tërmeti - Sa mund të

Në vitin që lamë pas, primet e shkruara bruto që kaluan për risigurim arritën në 3.71 miliardë lekë. Kjo vlerë rezulton të jetë rritur me gati 4% në krahasim me 2023.

Risigurimi ndodh atëherë kur një kompani sigurimesh kalon një pjesë të riskut që ajo ka pranuar te një kompani tjetër sigurimesh, apo te një kompani e specializuar risigurimi. Asnjë kompani nuk është aq e madhe sa të paguajë të gjitha kërkesat për siguracion kur bie një tërmet, apo një fatkeqësi tjetër e këtij lloji. Kompanitë e vogla kanë tendencë të jenë më shumë të risiguruara se sa ato të mëdhatë.

Në raportin vjetor të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, kompanitë e sigurimit kanë raportuar edhe normën e mbajtjes agregate neto për sigurimin nga tërmeti. Bazuar në marrëveshjet e risigurimit në fuqi, tregu i sigurimeve mund të përballojë, pa cenuar treguesit financiarë, dëme deri në rreth 206 milionë euro nga tërmeti.

Në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023, konstatohet rritje e primeve të ceduara në risigurim pothuajse në të gjithë portofolet. Për vitin 2024, peshën më të madhe ndaj primeve totale të ceduara, e zënë produktet “Motorike” me rreth 55.12% të totalit dhe “Zjarri dhe të tjera të pronës” me rreth 31.59%.

Shoqëritë e sigurimit janë të detyruara të risigurojnë në një shoqëri risigurimi atë pjesë të rrezikut të siguruar, që tejkalon limitin e lejuar prej 10% të vlerës së kapitalit. Shoqëritë e sigurimit nëpërmjet risigurimit zvogëlojnë ekspozimin ndaj rreziqeve të mëdha, përmirësojnë kërkesat për kapital (aftësi paguese), rrisin mundësinë për të siguruar më shumë rreziqe, si dhe marrin asistencë teknike dhe financiare nga shoqëritë risiguruese.

Sipas Standard & Poors, Fitch, Moody’s, e të tjera, cilësia e risiguruesve kryesorë të marrëveshjeve që mbulojnë aktualisht rreziqet e ceduara në risigurim nga shoqëritë e sigurimit rezulton së paku në kategorinë e vlerësimit A, që do të thotë edhe më cilësore nga sa kërkohet nga kuadri rregullator në fuqi.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat