Shqipëria Postuar më 6 Janar 2026, 10:19

20 milionë euro shpërndahen për fermerët - AZHBR kalon këstin e dytë të pagesave, përfitues 65 mijë fermerë

Nga Elisabeta Dosku

20 milionë euro shpërndahen për fermerët - AZHBR kalon

Kësti i dytë i pagesave në kuadër të Skemave Kombëtare të Mbështetjes për vitin 2025 është kaluar brenda datës 31 dhjetor, në përputhje me procedurat financiare në fuqi.  Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural bën me dije se fondet përkatëse tashmë janë transferuar në bankat e nivelit të dytë dhe po kalohen gradualisht në llogaritë bankare të fermerëve përfitues.

Me miratimin e Aktit Normativ për ndryshime në buxhet, në fund të vitit, buxhetit të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural i është shtuar fondi prej rreth 20 milionë euros, i cili është destinuar për kryerjen e pagesave në kuadër të Skemave Kombëtare të Mbështetjes, masat 1–8, për vitin 2025.

Agjencia për Zhvillimin bujqësor dhe Rural  ka mundësuar kalimin e 50% të  shumës së mbetur të pagesave, të cilat po shpërndahen aktualisht në llogaritë bankare të rreth 65,000 fermerëve përfitues, përmes bankave të nivelit të dytë.

Masat e Skemës Kombëtare 2025 përfshijnë 8 masa në total: tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta); zhvillimin e bletarisë; mbështetje për farë, fidanë dhe inpute të tjera; kultivimin e bimëve mjekësore-aromatike; fermat organike; certifikimin Global GAP; ⁠mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.

Numri më i lartë i përfituese i takon skemës së naftës në bujqësi.

69.917 aplikime janë regjistruar në e-Albania nga fermerët apo Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor për të pasur akse nga fondet e vëna në dispozicion për financimin e sektorit bujqësor përmes Skemës Kombëtarë të Mbështetjes 2025. 

Më shumë aplikime janë regjistruar për skemën e naftës, me afro 52.837 aplikime, ndërsa interes të lartë ka pasur edhe për blegtorinë dhe bletarinë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural,  për masat 1-7 janë në total 7272 fermerë përfitues. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat