Shqipëria Postuar më 8 Janar 2026, 12:28

2-fishim gjobash për gazet serrë - Aktivitetet industriale e transporti, ashpërsohen masat administrative për shkelësit

Nga Ola Mitre

2-fishim gjobash për gazet serrë - Aktivitetet industriale e

Dyfishimi i gjobave për subjektet që shkelin detyrimet ligjore mbi monitorimin dhe raportimin e gazeve serrë. Gjithçka parashikohet në ligjin e ri “Për ndryshimet klimatike”, sipas të cilit operatorët e instalimeve, subjektet e rregulluara, si dhe shoqëritë e transportit ajror e detar, që ushtrojnë aktivitet pa autorizim ose pa plan monitorimi të miratuar, do të ndëshkohen me gjoba që variojnë nga 2 mln, në 4 mln lekë. Ky nivel është dy herë më i lartë krahasuar me gjobat aktuale, të cilat luhaten mes 1 dhe 2 mln lekësh.

Gjoba do të rritet përditë me 2% të vlerës, deri në korrigjimin e shkeljes. Po ashtu, masa ndëshkuese do të aplikohet edhe për mosraportim të të dhënave mbi shkarkimet e gazeve serrë ose për mosnjoftim të ndryshimeve që kërkojnë përditësim të lejes mjedisore.

Ndryshimet vendosin gjithashtu detyrime të qarta ligjore për kompanitë që prodhojnë, transportojnë ose përdorin lëndë djegëse, si dhe për sektorë të tjerë, sikurse është aviacioni apo transporti detar. Këto subjekte do të jenë të detyruara të monitorojnë dhe raportojnë saktësisht shkarkimet e gazeve serrë, ndërsa raportet do të verifikohen nga auditues të akredituar dhe do të dorëzohen pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Ndryshimet prekin një gamë të gjerë aktivitetesh industriale me shkarkime të larta të gazeve serrë, një pjesë e të cilave edhe aktualisht kanë qenë të detyruara të monitorojnë emetimet e tyre, por tashmë ky proces do kryhet përmes sistemit MRVA (Monitorim, Raportim, Verifikim dhe Akreditim), në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat