Shqipëria Postuar më 7 Korrik 2025, 15:00

19 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit/ AKMC: Vetëm gjashtë janë ende aktive!

Nga Edel Strazimiri

19 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit/ AKMC: Vetëm

Sipas njoftimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri, nga të cilat gjashtë vatra janë ende aktive më konkretisht në bashkitë e Finiqit, Vlorës, Elbasanit, Poliçanit, Beratit, Hasit, Bulqizës, Malësisë së Madhe, Lezhës, Kolonjës, Korçës, Tiranës, Kavajës e Fierit.

Puna vijon në vatrën e zjarrit midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq. Gjatë natës forcat e MZSH Finiq dhe efektivët e Forcave të Armatosura qëndruan në monitorimin për të parandaluar ndonjë riaktivizim të mundshëm. Ditën e sotme zjarri vazhdon të jetë aktiv në zonën lindore të fshatit Leshinicë e Poshtme, por është larg zonës së banuar.

Gjithashtu, sipas AKMC-së, zjarri, në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë vazhdon të jetë aktiv në tri vatra të shpërndara. Terreni e vështirëson ndërhyrjen, por zjarri nuk paraqet rrezikshmëri për zonën.

AKMC njofton se aktive mbetet vatra në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan. Gjatë natës vatra e zjarrit u mbajt në monitorim nga MZSH Poliçan dhe ditën e sotme kafilluar puna për shuarjen e plotë të vatrës së fundit aktive me 10 efektivë dhe 5 forca bashkiake. Sipas një informacioni paraprak nga shërbimi pyjor deri ditën e djeshme janë përshkuar rreth 50 ha.

Në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, gjatë natës për shkak të erës dhe temperaturave të larta vatra e zjarrit është transferuar duke shtrirë në territor drejt “Malit të Bardhë”. Ditën e sotme në terren ndodhen1 automjet zjarrfikës me 11 efektivë, 5 forca pyjore dhe 10 forca bashkiake.

Në vendin e quajtur“Bjeshkët e Parrusë”, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe pati një riaktivizim të vatrës së zjarrit. Ditën e sotme në terren ndodhen 6 efektivë nga MZSH, 5 forca bashkiake, 5 forca nga shërbimi pyjor dhe 8 forca vullnetare.

Si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte janë djegur rreth 65 hektarë me bimësi.

“Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 37 automjete zjarrfikëse dhe 362 forca operacionale si dhe 8 automjete të rënda. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 104 efektivë, 6 automjete zjarrfikëse, 1 pompë thithëse dhe 1 traktor me zinxhirë”, thuhet në njoftim.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” pothuajse në të gjitha qarqet. Në qarkun Durrës pritet nivel rrezik “I MODERUAR” dhe lokalisht rrezik “I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Durrës (jug).

I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë. Në këtë situatë u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi maksimale: Mos ndizni zjarre në ambiente të hapura, mos digjni mbeturina, shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe njoftoni në kohë autoritetet vendore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat