Shqipëria Postuar më 27 Shkurt 2026, 11:13

1,500 kuota shtesë për kredi të buta në Tiranë - Programi, në mbështetje të familjeve dhe çifteve të reja pa banesë

Nga Fabjona Pasho

1,500 kuota shtesë për kredi të buta në Tiranë -

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar 1,500 kuota shtesë për skemën e kredisë së butë, si mbështetje për familjet dhe çiftet e reja që dëshirojnë të blejnë një banesë në kryeqytet. Gjatë mbledhjes u theksua se vendimi vjen nga rritja e numrit të aplikimeve për këtë skemë sociale. Kuotat do të mbulohen nga fondet bashkisë në kuadër të programit buxhetor afatmesëm 2026-2028.

Gjatë thirrjes për aplikime për vitin 2025 u shpallën fitues 1,231 individë dhe familje, të mbështetur nga buxheti i shtetit. Ndërsa 1,500 kuotat e reja synojnë të përballojnë kërkesën në rritje për strehim të përballueshëm.

Programi i subvencionimit të interesave të kredisë u drejtohet familjeve dhe individëve që nuk kanë banesë në pronësi ose disponojnë një sipërfaqe nën normat e përcaktuara të strehimit. Gjithashtu, përfitues mund të jenë ata që nuk kanë kryer tjetërsim prone në pesë vitet e fundit, me përjashtim të rasteve të forcës madhore, si dhe ata që nuk përballojnë normat e interesit të tregut për blerjen e një banese.

Procesi i aplikimit parashikon dy faza. Në fazën e parë, aplikimi kryhet elektronikisht përmes portalit e-Albania, me një afat 30-ditor dhe shpallje publike të listave. Në fazën e dytë, aplikantët dorëzojnë dokumentacionin përkatës fizikisht ose me postë, i cili i nënshtrohet verifikimit administrativ brenda 30 ditëve dhe më pas shqyrtimit nga Komisioni i Strehimit brenda 45 ditëve.

Çdo aplikues i pakënaqur ka të drejtën e ankimimit në secilën nga fazat.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat