Shqipëria Postuar më 12 Gusht 2025, 11:58

150 mijë euro financim për serat diellore - Skema e investimeve/ Nga rrjetat antibreshër, tek agroturizmi. Kriteret

Nga Elisabeta Dosku

150 mijë euro financim për serat diellore - Skema e investimeve/ Nga

Fermerët dhe agrobizneset kanë afat aplikimi deri më 30 shtator për të përfituar financim përmes Skemës së Investimeve në bujqësi.

Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë udhëzimin përkatës i cili përcakton financimin që do të jepet për secilën masë si dhe kriteret që duhen përmbushur për të përfituar.

Konkretisht, financimi më i lartë do të jepet për ndërtimin e serave diellore të reja për perime, luleshtrydhe dhe rrush tavoline, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ujitjes, me sipërfaqe minimale 0.2 ha dhe sipërfaqe maksimale 2 ha.

Për këtë masë financimi nis nga 40 mijë euro për ha luleshtrydhet deri në  150 mijë euro/ha për serat e prodhimit të perimeve apo 50% të vlerës totale të faturave tatimore.

Për investime në mbjelljet e reja të pemëve frutore, ullinjve, agrumeve dhe vreshtave, financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 0,5 ha dhe jo më shumë se 10 ha, masa e përfitimit arrin deri në 8 mijë euro për hektarë.

Rrjeta për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta, masa e përfitimit arrin deri në 15 mijë euro/hektarë. Financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 1 ha dhe jo më shumë se 5  ha.

Për sistemet e ujitjes me pika në pemëtore, ullishte, agrume dhe vreshta ekzistues, financimi arrin deri në 2500 euro/ha.

Për ndërtimin e ambienteve të reja për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, financimi arrin deri në 150 mijë euro për subjekt.

Për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit arrin në 50 mijë euro për subjekt.

Mbështetja për linja/makineri/pajisje për përpunimin, seleksionimin, paketimin dhe etiketimin e perimeve, frutave, rrushit dhe verës, ullirit dhe vajit të ullirit arrin në afro 75 mijë euro për subjekt

Mbështetja për investime në agroturizëm do të jetë deri në 150 mijë euro për  për subjekt dhe po ashtu për akuakulturën detare për koshat e rritjes së peshku.

Për të përfituar nga këto masa mbështetëse, aplikanti: -nuk duhet të jetë debitor ndaj AZHBR-së dhe MBZHR-së; nuk duhet jetë debitor ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve,  të ketë shlyer “sigurimet shoqërore” në rastin e fermerëve individualë; të ketë tokën në pronësi dhe/ose me qira/huapërdorje për të paktën 5 vjet, duke filluar nga viti i aplikimit; të ketë lejen përkatëse të ndërtimit sipas legjislacionit në fuqi, para lidhjes së kontratës.

Në rastet kur vlera e investimit të pranueshëm është mbi 50 mijë euro, aplikanti duhet të dorëzojë planin e biznesit.

Përfituesve nga masat e mbështetjes së investimeve, pas lidhjes së kontratës u paguhet paraprakisht deri në 30% të masës së financimit të kontraktuar, kundrejt garancisë së pagesës së lëshuar nga shoqëri sigurimi dhe/ose banka, sipas përcaktimeve të kontratës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat