Shqipëria Postuar më 13 Tetor 2025, 09:54

13 tetor, ndalohen monopatinat elektrike në rrugë! Bllokimi, i përkohshëm. Rregulla të reja për shpejtësinë, moshën dhe kaskën

Nga Ledina Elezi

13 tetor, ndalohen monopatinat elektrike në rrugë!  Bllokimi, i

Nga 13 tetori, nuk do të lejohet më lëvizja me monopatina elektrike në rrugë. Policia e Shtetit do të ndalojë qarkullimin e këtyre mjeteve, të cilat janë bërë burim i shpeshtë aksidenti kohët e fundit.

Aktualisht nuk ekziston një rregullore që garanton sigurinë e qytetarëve nga përdorimi i mjeteve të tilla. Për këtë arsye do të pezullohet përkohësisht qarkullimi, ndërsa do të merret koha e nevojshme që të vendosen rregulla të reja për lëvizjen me skutera elektrikë.

Por cilat mund të jenë këto rregulla?

Mosha minimale për të përdorur një skuter, shpejtësia maksimale e lejuar, vendosja e masave mbrojtëse si për shembull kaskës, ndriçimi apo përcaktimi i hapësirave dhe korsive për lëvizjen me to e shmangia e trotuareve. Një rregull tjetër mund të lidhet edhe me numrin e personave që mban një monopatinë elektrike.

Në rast se nuk do të respektohen këto rregulla, drejtuesit e këtyre mjeteve do të penalizohen me gjoba ose bllokim administrativ.

Ky operacion ndërmerret pas një sërë denoncimesh nga qytetarët, të cilat janë shprehur të shqetësuar për sigurinë e tyre dhe të drejtuesve të monopatinave elektrike. Kalimi me semafor të kuq, ecja kundravajtje ose mes makinave, fëmijë që ngasin ose hipja e disa personave në monopatinë, janë vetëm disa nga shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor që kryejnë ato.

Në Francë për shembull, rregulloret vendosin një kufi të rreptë shpejtësie për skuterët elektrikë. Këto mjete nuk duhet të kalojnë shpejtësinë maksimale prej 25 km/orë në rrugët publike. Kjo masë synon të zvogëlojë rrezikun e aksidenteve dhe të sigurojë bashkëjetesë harmonike midis përdoruesve të ndryshëm të rrugës.

Skuterat elektrikë janë të ndaluar në trotuare. Ky ndalim që synon mbrojtjen e këmbësorëve, kërkon që përdoruesit të ngasin në shtigje biçikletash ose rrugë ku lejohen.

Rregulloret e reja kërkojnë që të gjithë skuterët elektrikë të jenë të pajisur me drita përpara dhe prapa, pajisje reflektuese dhe një bori. Për drejtuesit, vendosja e një helmete rekomandohet, megjithëse nuk është ende e detyrueshme.

Qytetet franceze kanë marrë gjithashtu masa për të menaxhuar parkimin e skuterave elektrikë. Tani është e ndaluar të parkohet një skuter elektrik që pengon trafikun e këmbësorëve. Disa bashki kanë përcaktuar zona të dedikuara parkimi për të mbajtur të lira hapësirat e këmbësorëve.

Gjatë vitit 2024 ka pasur 991 aksidente të shkaktuara nga monopatinat elektrike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat