Shqipëria Postuar më 29 Korrik 2026, 11:25

1.3 miliardë euro më shumë qarkullim nga bizneset/ “Zbresin” shërbimet. Tregtia dhe ndërtimi kryesojnë rritjen

Nga Elisabeta Dosku

1.3 miliardë euro më shumë qarkullim nga bizneset/

Gjysma e parë e vitit është mbyllur me performancë pozitive për bizneset në Shqipëri. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se qarkullimi i bizneseve për periudhën janar-qershor 2026 u rrit me 127 miliardë lekë ose 7% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2025, duke u dyfishuar në krahasim me rritjen ekonomike.

Rritja në qarkullimin e bizneseve, sipas Ministisë së Financave, është mbështetur kryesisht nga tre sektorë.   Tregtia rezulton të ketë pasur rritjen më të madhe me +10 % krahasuar më 6 mujorin 2025. Ndërtimi gjithashtu regjistroi një rritje prej 9% duke u renditur në vendin e dytë. Ndërsa shërbimet, ndryshe nga më parë, që konsideroheshin kryesoret në qarkullim, kanë zbritur në vendin e tretë me një kontribut +4 %. Prodhimi rezulton me rritje më të vogël, në +2 %.  

Sipas Ministrisë, kjo ecuri vjen për shkak të rritjes ekonomike; formalizimit të mëtejshëm të ekonomisë, çka do të thotë raportim më i plotë i xhirove  të deklaruara dhe konsumit të brendshëm më të lartë, i mbështetur nga rritja e të ardhurave dhe punësim.

Në të njëjtën linjë ecur edhe aktiviteti ekonomik i biznesit. Referuar të dhënave zyrtare, në total deri në fund të Qershorit 2026 numri total i bizneseve ka arritur 148,270. Ndërsa në raport me një vit më parë rezulton një shtesë prej +12 % në numrin e bizneseve.

Ritmi i rritjes reflekton përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e besimit të sipërmarrjes dhe zgjerimin e aktivitetit ekonomik në sektorë të ndryshëm të ekonomisë kryesisht shërbimi dhe transporti.

Ecuria pozitive e ekonomisë lidhet me disa faktorë si përmirësimi i konsumit të brendshëm, lehtësitë administrative për hapjen e bizneseve, si dhe rritja e interesit për investime në sektorë të caktuar.

Megjithatë, sfidat mbeten të pranishme. Qëndrueshmëria e kësaj rritjeje do të varet nga zhvillimet gjeopolitike  dhe luhatjet në kostot me të cilat përballen bizneset, të cilat pasohen me presion mbi fitimet dhe investimet. Megjithatë sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, viti pritet të mbyllet me një rritje ekonomike prej 4%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat