Shqipëria Postuar më 13 Maj 2026, 10:55

“13 mijë pensionistë që punojnë, përjashtim nga kontributet” - Propozimi/Të mos paguajnë detyrime për një periudhë 4-vjeçare

Nga Elisabeta Dosku

“13 mijë pensionistë që punojnë, përjashtim nga

Pensionistët, të cilët gëzojnë pensionin, por vijojnë të jenë aktivë në tregun e punës, duhet të përjashtohen përkohësisht nga kontributet. Kjo është nisma më e fundit nga opozita e depozituar për diskutim në komisionet kuvendore.

Konkretisht kërkohet, që  të përjashtohen nga detyrimi për të paguar kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore në degën e pensioneve përfituesit e pensionit të pleqërisë që vijojnë të jenë të punësuar dhe përfituesit e pensionit të pleqërisë që ushtrojnë veprimtari si të vetëpunësuar, aktivitetet tregtare sipas legjislacionit të tregtarëve dhe shoqërive tregtare, aktivitetet profesionale të licensuara e të rregulluara, apo aktivitetet e zejtarisë.

Projektligji sqaron se aktualisht janë 13 mijë pensionistë aktiv në tregun e punës dhe se përjashtimi vlen vetëm për kontributet e sigurimeve shoqërore në degën e pensioneve dhe nuk shtrihet në detyrimet e tjera ligjore që rrjedhin nga marrëdhënia e punës apo aktiviteti ekonomik.

Gjithashtu, propozohet që periudha gjatë së cilës pensionistët përfitojnë këtë lehtësim nuk do të llogaritet si periudhë sigurimi për përfitime shtesë, rillogaritje apo shtesa mbi pensionin ekzistues.

Propozimi është që ky përjashtim të bëhet për një periudhë të përkohshme 4 vjeçare dhe pas përfundimit 4-vjeçar, detyrimi për pagesën e kontributeve të rikthehet sipas ligjit në fuqi.

Masa synon të lehtësojë barrën financiare për pensionistët aktivë dhe të inkurajojë pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës dhe të zgjidhë një problematikë sociale që lidhet me dekurajimin e tyre për të punuar për shkak të barrës së dyfishtë kontibutive.

Referuar dokumentit, kjo masë do të sjellë rritje të fomalizimit ekonomik, rritje të të ardhurave tatimore si dhe zgjerim të bazës së kontribuuesve në mënyrë indirekte.

Aktualisht po diskutohet edhe një projektligj për ndryshime në “ligjin për tatimin mbi të ardhurat”, i cili propozon që të ardhurat nga pensionet dhe shpërblimet e tjera të ngjashme, të përfituara nga një shtet i huaj, sipas legjislacionit të atij shteti, nga individë, të cilët janë rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale.

Me këtë nisme qeveria synon kthimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar rezidence për pensionistët e huaj dhe diasporën shqiptare, duke nxitur atë që quhet “ekonomi e argjendtë”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat