Shqipëria Postuar më 27 Janar 2026, 12:02

111 mln euro për transportin dhe energjinë në Shqipëri - BERZH, financim rekord në 2025. Prezantohet Raporti i Tranzicionit, sfidë demografia

Nga Ledina Elezi

111 mln euro për transportin dhe energjinë në Shqipëri -

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka dhënë një financim rekord prej 217 milionë eurosh për Shqipërinë gjatë vitit 2025, kryesisht për projekte në sektorin e transportit dhe energjisë.

Gjatë prezantimit të Raportit të Tranzicionit, Drejtoresha e BERZH për Shqipërinë, Ekaterina Solovova, listoi disa nga investimet kryesore të realizuara gjatë vitit të kaluar.

“Viti 2025 ishte jashtëzakonisht aktiv për BERZH-in në Shqipëri. Ne ofruam 217 milionë euro financim për 31 projekte, nivel ky rekord angazhimi i joni. Nga totali, 111 milionë u dhanë për projektet e infrastrukturës së qëndrueshme në sektorët e transportit dhe energjisë, përfshirë 30 milionë për rehabilitimin e Korridorit 8 hekurudhor, faza e parë Durrës-Rrogozhinë, të bashkëfinancuar me Bankën Evropiane të Investimeve dhe të plotësuar me 60 milionë euro grante. Në sektorin e energjisë ofruam 45.75 milionë euro për OSHEE, ristrukturimin e borxhit afatshkurtër dhe mbështetjen e modernizmit të rrjetit dhe investimeve të gjelbra, si dhe 30 milionë euro për KESH-in për zhvillimin e centralit diellor fotovoltaik prej 50 megavat”, tha Solovova.

Ndërkohë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u ndal në disa prej gjetjeve të Bankës mbi ndikimin e sfidave demografike në ekonomi, gjetje këto që rezonojnë me ato të BERZH në Raportin e Tranzicionit. Sipas studimeve, sfidat demografike do të ushtrojnë presion mbi normat e interesit dhe inflacionin.

“Prirjet negative demografike në Shqipëri pritet të jenë të qëndrueshme. Studimet tona tregojnë se këto prirje ka të ngjarë të ushtrojnë presion në rënie mbi normat reale të interesit. Ky mjedis kufizon efektivitetin e politikës monetare konvencionale, pasi normat e ulëta të interesit u lënë bankave qendrore më pak hapësirë për të stimuluar ekonominë. Në të njëjtën kohë, ndryshimet demografike mund të shkaktojnë ndërlikim edhe të dinamikave të inflacionit. Hulumtimet tona tregojnë se rritja e normës së pjesëmarrjes në tregun e punës vjen si pasojë e pagave më të larta”, tha Gent Sejko.

Në të gjitha vendet në zhvillim të Evropës, popullsitë në plakje dhe tkurrja e fuqisë punëtore rëndojnë mbi rritjen ekonomike. Sipas Guvernatorit, përgjigjja e politikave kërkon veprim të koordinuar dhe vullnet politik, të cilat duhet të trajtojnë reformimin e sistemeve të pensioneve, modernizimin e tregjeve të punës, hartimin e politikave realiste të migracionit dhe investimin për sigurimin e plakjes së shëndetshme të popullsisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat