Shqipëria Postuar më 21 Tetor 2025, 12:57

11 centrale të rinj në prodhim - Zhvillimet e sektorit elektroenergjetik, kapaciteti total 225 MW

Nga Ola Mitre

11 centrale të rinj në prodhim - Zhvillimet e sektorit

Gjatë 8 muajve të parë të këtij viti është shënuar një rritje e kapaciteteve të reja prodhuese në sektorin elektroenergjetik, me 11 impiante që kanë fuqi totale të instaluar prej 225 MW.

Më konkretisht, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, në këtë periudhë kanë hyrë në operim 6 hidrocentrale të rinj, me një kapacitet të instaluar prej 69.23 MW. Në të njëjtën kohë, 5 centrale fotovoltaike kanë nisur prodhimin e energjisë, duke shtuar 155.98 MW të tjerë në rrjetin kombëtar.

Gjithashtu, 9 hidrocentrale, të cilat më parë kishin kontrata shit-blerjeje me Furnizuesin e Tregut të Lirë, pjesë e OSHEE Group tashmë operojnë në tregun e lirë të energjisë, me një kapacitet total prej 26.37 MW.

ERE thekson se këto zhvillime tregojnë një dinamikë të qëndrueshme në rritjen e burimeve të reja të prodhimit të energjisë, veçanërisht nga burimet e rinovueshme, si dhe një zgjerim të mëtejshëm të tregut të lirë të energjisë në vend.

Kjo tendencë, ndjek atë të vitit të kaluar, ku përgjatë vitit 2024 hynë në prodhim gjithsej 26 impiante, me një kapacitet të instaluar prej 269.95 MW. Këtu përfshihen centralet diellore, por edhe hidrocentralet që iu shtuan kapaciteteve prodhuese në vend.

Këto kapacitete ndaheshin mes burimeve hidrike dhe atyre fotovoltaike, ku peshën dërrmuese e mbanin centralet diellore, me një total prej 255.95 MW. Këto impiante prodhuan 1.81% të energjisë elektrike totale, të prodhuar në vend.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat