Shqipëria Postuar më 2 Shtator 2026, 11:05

10 mln euro në llogaritë bankare të fermerëve - Regjistrohen 4,104 aplikime, 10% kompensim TVSH për faturat e lëshuara

Nga Elisabeta Dosku

10 mln euro në llogaritë bankare të fermerëve - Regjistrohen

Afro 10 milionë euro llogaritet deri më tani shuma që do të shpërndahet  në llogaritë bankare të fermerëve si kompensim në masën10 % të faturave të dorëzuara në administratën tatimore.

Ndërsa aplikimet për përfitim kanë nisur nga data 1 Korrik, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë periudhës 1 korrik – 31 gusht 2026, janë dorëzuar online 4,104 aplikime për kompensim, nga të cilat 2,906 janë miratuar, ndërsa 1,016 janë në proces shqyrtimi. Shuma totale e kompensimit prej 10% arrin në 10 milionë euro.

Sa i takon numrit të aplikimeve sipas Drejtorive Rajonale Tatimore, fluksi më i lartë i përket Fierit, ndjekur nga Berati, Elbasani, Shkodra, më pas renditet Korça, Dibra, Durrësi, Gjirokastra, Saranda, Lezha dhe në fund janë Vlora dhe Tirana.

Ndërsa vlera totale potenciale e  kompensimit që mund të përfitojnë fermerët për shitjet e 6-mujorit të parë llogaritet në 13.8 milionë euro.

Administrata Tatimore, nëpërmjet një udhëzuesi praktik informon fermerët e regjistruar mbi procedurën e aplikimit, duke i nxitur ata që të marrin mbrapsht paratë që u takojnë.

Sipas administratës tatimore përfitues do të jenë vetëm fermerët e regjistruar si prodhues bujqësor pranë tatimeve, që nuk janë të regjistruar për TVSH-në dhe që kanë një nipt aktiv.

Aplikimi bëhet me 5 hapa kryesore përmes llogarisë personale në eFiling me NIPT -in dhe fjalëkalimin përkatës.  Është e rëndësishme që fermerët të plotësojnë të dhënat bankare dhe të bëjnë kërkesën për rimbursim. Më pas fermerët duhet të plotësojnë formularin, në të cilin zgjidhim faturat që duan të përfshijnë dhe llogarinë bankare ku duan të marrin paratë. Sistemi llogarit vetë shumën totale dhe kompensimin 10%.

Pasi bëhet dorëzimi i kërkesës, ajo kalon automatikisht në Drejtorinë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar fermeri, më pas kryhet verifikimi i të dhënave sipas kritereve ligjore të skemës. Kryhet trajtimi procedurial i çështjes dhe në fund fermeri merr përgjigje  Aprovuar ose Refuzuar tek menuja  “Të dorëzuara”.

Referua të dhënave të tatimeve në 5 muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, rezultojnë 25% më shumë blerës me TVSH që po blejnë produkte nga fermerët; 24% më shumë fermerë po shesin produktet e tyre te blerësit me TVSH dhe 19% rritje e vlerës së transaksioneve të realizuara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat