Shqipëria Postuar më 8 Prill 2026, 11:05

10 mijë euro grant për fermerët e rinj - Hyjnë në fuqi skemat e bujqësisë, më shumë para për blegtorinë dhe bletarinë

Nga Elisabeta Dosku

10 mijë euro grant për fermerët e rinj - Hyjnë në fuqi

Skemat e reja të mbështetjes në bujqësi përmes pagesave direkte dhe investimeve kanë hyrë zyrtarisht në fuqi dhe tashmë pritet udhëzimi përkatës për përcaktimin e kritereve dhe hapjen e aplikimeve,

Fondi total që do të shpërndahet është  52 milionë euro për vitin 2026 dhe këtë vit skema ka risi të rëndësishme,  pasi është rritur masa e financimit për krerë në blegtori dhe bletari dhe është përgjysmuar edhe tavanin e tufave që duhet të kenë fermerët për përfitim, çka do të thotë se do të ketë më shumë blegtorë dhe bletarë që do të përfitojnë, në raport me vitet e mëparshme.  Ndërsa skema e naftës nuk do të aplikohet si në vitet mëparshme por do të mbulohet përmes rimbursimit 10 % të faturave të shitjes.

Nga ana tjetër, si pjesë e skemës së investimeve, është shtuar edhe mbështetja me grante deri në 10 mijë euro për fermerët dhe blegtorët e rinj, për investime në ferma bujqësore dhe blegtorale.

Konkretisht, referuar vendimit, blegtorët me jo më pak se 5 krerë lopë dhe /ose mëshqerra. do të marrin 12 mijë lekë/krerë, për tufën bazë të matrikulluar.

Do të jepen  1500 lekë/krerë për tufën bazë të matrikulluar për çdo fermer me jo më pak se 50 krerë dele dhen/ose dhi.  Për pjesën mbi 300 (treqind) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%.

Skema financon 2 mijë lekë për zgjua, për aplikant, me jo më pak se 25 zgjoje. Për pjesën mbi 150  zgjoje, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%. Për herë të parë është futur mbështetja për dosa dhe/ose paradosa të matrikulluara, në vlerën deri në 7  mijë lekë/ krerë për aplikantët me jo më pak se 5 krerë dosa dhe/ose paradosa. Për pjesën mbi 100 krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%.

Risi është edhe financimi me 100 euro për hektar për sipërfaqe të mbjellë me kultura bujqësore, me jo më pak se 3 hektarë.

Skema financon gjithashtu për herë të parë kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve deri në 70% e vlerës totale të faturave tatimore, për blerjen e materialeve biologjike, përfshirë insektet e dobishme, por jo më shumë se 40 mijë lekë për dynym, në rastin e dy mbjelljeve në vit.

Do vijojë të financohen fermat organike deri në 300 mije lekë si dhe  implementimin dhe certifikimin global GAP, përfshirë mbulimin e kostove të analizave të produkteve në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore.

Qeveria ka përcaktuar se 2.5 miliardë lekë nga fondi total  shkojnë për skemën e investimeve, ku bën pjesë mbështetja e fermerëve të rinj, si dhe financimi për ndërtimin/rikonstruksionin e staneve dhe/ose pajisjeve për përmirësimin e kushteve, masa e përfitimit është në 70% e vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 3 tre milionë lekë për subjekt.

Për  pajisje, makineri dhe mjete bujqësore për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në ferma bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit është në 50% e vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 500 mijë lekë për subjekt dhe jo më pak se 50 mijë lekë për subjekt.

Kur kërkesat që kanë plotësuar kriteret janë më të larta se fondi i vënë në dispozicion, atëherë fondi ndahet në mënyrë propocionale. 

Përfitues për masat e mbështetjes nga fondi i  programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë  fermerët individualë, personat fizikë, personat juridikë dhe shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB).

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat