Shqipëria Postuar më 30 Prill 2026, 12:35

1 trilionë lekë depozita vetëm në Tiranë - BSH: Rënie e kursimeve në të gjithë qarqet e tjera. Sinjal i mundshëm i rritjes së konsumit

Nga Ledina Elezi

1 trilionë lekë depozita vetëm në Tiranë - BSH:

Shuma e kursimeve të mbajtura nga qytetarët, bizneset, qeveria qendrore dhe ajo vendore, vetë bankat, kompanitë e sigurimit dhe fondet e pensionit, shoqëritë e kursim-kreditit dhe korporata të tjera, ka arritur për herë të parë në 1 trilionë lekë në qarkun e Tiranës.

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlera e depozitave në tremujorin e parë të 2026 është rritur me 12% në krahasim me tremujorin paraardhës dhe 19% në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Kjo shifër konfirmon edhe një herë Tiranën në krye për sa i përket parave të kyçura në bankë, me qëllim kursimi, dhe kjo për shkak se në kryeqytet ushtrojnë aktivitetin pjesa më e madhe e bizneseve, ndërsa është përqendruar edhe shumica e popullsisë. Në tremujorin e parë të vitit, tiranasit rezultojnë të vetmit me shtim të depozitave, ndërsa qytetarët dhe bizneset nga qarqet e tjera të vendit nuk po ruajnë më para në bankë si më parë, sinjal ky i një rritjeje të mundshme të konsumit.

Pavarësisht rënies së depozitave në qarqet e tjera, cilat janë ato që e “konkurrojnë” më tepër kryeqytetin?

Tirana mbart gjysmën e depozitave totale në rang vendi, rreth 54%, ndjekur nga Durrësi me thuajse 7% dhe Vlora me 5%. Ndërkohë, qarqet me vlerën më të vogël të kursimeve në bankë vijojnë te jenë Lezha dhe Korça. Sipas statistikave zyrtare, vetëm 31 milionë lekë rezulton të jetë shuma totale e depozitave në qarkun e Lezhës dhe 62 milionë në atë të Korçës.

Gjithashtu, Lezha ka pasur rënien më të madhe të depozitave nga tremujori i fundit i 2025 në tremujorin e parë të 2026, rreth 12% dhe Vlora po ashtu me 10%. Ky pakësim i kursimeve vjen si në depozitat e ngurta në valutë ashtu edhe tek ato në lekë.

Disbalanca është e qartë: kryeqyteti po mbledh gjithnjë e më shumë para në bankë, ndërsa kursimet në qarqet e tjera të vendit rezultojnë të kenë marrë tatëpjetën për poshtë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat