Shqipëria Postuar më 27 Janar 2026, 09:38

1 miliardë euro investime ne energji - Paketa e reformave ekonomike 2026-2028, rritje e investimeve te huaja

Nga Elisabeta Dosku

1 miliardë euro investime ne energji - Paketa e reformave ekonomike

Paketa e re e reformave të zhvillimit ekonomik,  pritet të sjellë një rritje të ndjeshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke e përmirësuar rritjen vjetore me 0.8–1.0 pikë përqindje mbi nivelin bazë gjatë periudhës 2026–2028.

Referuar programit të publikuar në Fletoren Zyrtare, reformat përfshijnë investime të konsiderueshme në energjinë e rinovueshme, që arrijnë në rreth 914.1 milionë euro, si dhe 117.8 milionë euro në eficiencën energjetike. Këto masa pritet të rrisin performancën e eksporteve dhe të gjenerojnë një përmirësim kumulativ të barabartë me 1 pikë përqindje të PBB-së në dy vitet e para të zbatimit.

Një tjetër shtyllë kyçe është rritja e Investimeve të Huaja Direkte (IHD), të cilat parashikohen të rriten nga 5% te aplikuara në  40% të totalit, duke forcuar kapacitetin prodhues dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Reformat në tregun e punës pritet të rrisin punësimin total me 1.3% krahasuar me nivelin bazë, ndërsa përmirësimi i eficiencës gjyqësore dhe forcimi i mjedisit institucional do të kontribuojnë në një rritje shtesë prej 0.9% të produktivitetit total të faktorëve.

Sipas modelit të Programimit Financiar të Ministrisë së Financave reforma e punësimit rrit prodhimin potencial me 0.85% dhe reforma e eficiencës gjyqësore sjell zgjerim të ndjeshëm përmes rritjes së produktivitetit

Të marra së bashku, këto reforma rrisin nivelin e PBB-së potenciale me rreth 1.65%.

Zbatimi gradual i reformave gjatë viteve 2026–2028 pritet të shtojë mesatarisht 0.55 pikë përqindjeje në rritjen vjetore të PBB-së. Ndërkohë, masat shtesë në energji, eksport dhe investime të huaja do të përforcojnë aktivitetin ekonomik përmes akumulimit më të lartë të kapitalit, kostove më të ulëta të prodhimit, kërkesës së jashtme më të fortë.

Në total, paketa e reformave vlerësohet se do të çojë normën e rritjes ekonomike në 4.7–4.9% në vit gjatë periudhës 2026–2028, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe duke shmangur parashikimet optimiste të tepruara.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat