Rajoni Posted on 2026-07-27 19:05:00

Shqipëri-Kroaci, ministri  Hoxha: Projekte të përbashkëta në energji, turizëm dhe infrastrukturë  

From SCAN TV

Shqipëri-Kroaci, ministri  Hoxha: Projekte të

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka pritur në Tiranë Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman. Pas takimit, ministri Hoxha, mes të tjerave ku më kryesore ishte tema e integrimit në BE, ka publikuar edhe pjesën ekonomike të bisedimeve. Ministri ka bërë të ditur se gjatë bisedimeve “Vlerësuam rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ramë dakord të intensifikojmë përpjekjet për të nxitur investimet dhe projektet e përbashkëta në energji, turizëm dhe infrastrukturë.

Gjatë muajit tetor, do të mirëpresim në Tiranë Sesionin e 6-të të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunimit Ekonomik.

Ramë dakord për të thelluar më tej bashkëpunimin në fushën e turizmit, përmirësimin e lidhjeve të transportit që është aspekt themelor. Së bashku, do të nxisim riaktivizimin e lidhjes direkte ajrore Tiranë-Zagreb dhe zhvillimin e lidhjeve direkte detare kudo që është e mundur dhe ekonomikisht përfituese.

Zhvillimi i Korridorit Blu, Korridorit VIII, Nisma e Tre Deteve dhe integrimi i tyre me korridoret e tjera panevropiane do të kontribuojë jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhore e ujore, por edhe në forcimin e kapaciteteve të lëvizshmërisë ushtarake, një aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit në fushën e sigurisë si dy vende anëtare të NATO-s.

Po ashtu, ndërtimi i gazsjellësit Adriatiko-Jonian që ndërlidh Shqipërinë me Kroacinë dhe disa vende të tjera të rajonit, si dhe degëzimi me gazsjellësin ekzistues TAP, do të mundësojë gazifikimin e vendeve të përfshira, si dhe ndërlidhjen e dy terminaleve LNG, ai i Vlorës dhe i KRK në Kroaci, me korridoret e tjera energjetike.

Do të vijojmë të mbështesim dhe promovojmë bashkëpunimin ekonomik e tregtar, ndërlidhjen infrastrukturore dhe energjetike, transformimin digjital, si dhe harmonizimin e standardeve që na afrojnë me praktikat dhe vlerat evropiane.

Përmes Tregut të Përbashkët Rajonal synojmë të krijojmë më shumë mundësi për qytetarët dhe bizneset tona, të integrojmë ekonomitë tona me njëra-tjetrën dhe t’i afrojmë ato gjithnjë e më shumë me Tregun e Përbashkët Evropian, duke përshpejtuar rrugëtimin tonë drejt BE”, ka bërë të ditur ministri Hoxha.

Live TV

Latest news
All news

Most visited