Rajoni Postuar më 27 Nëntor 2025, 11:53

Serbia, pranë blerjes së aksioneve të NIS? - Qeveria planifikon 1.4 miliardë euro për sigurinë energjetike

Nga Kristi Ceta

Serbia, pranë blerjes së aksioneve të NIS? - Qeveria planifikon

Serbia planifikon të ndajë rreth 1.4 miliardë euro për të blerë asete financiare të paspecifikuara, në mënyrë që të sigurojë stabilitetin energjetik, raporton agjencia e lajmeve Tanjug. Kjo vjen ndërsa po shtohen diskutimet mbi një marrëveshje të mundshme për kontrollin e kompanisë së naftës dhe gazit NIS, në pronësi ruse, që është sanksionuar nga SHBA.

Partia Progresive Serbe (SNS) ka dorëzuar një amendament në projektligjin e buxhetit për 2026, që do të lejonte shpërndarjen e fondeve shtesë, raporton Tanjug, pa përmendur burimet. Shuma fillestare e parashikuar për këtë qëllim në projektbuxhet ishte vetëm 5,1 milionë euro.

Presidenti Aleksandar Vuçiç tha se Serbia synon të marrë drejtimin e NIS nga pronarët rusë dhe është e gatshme të blejë aksionet e tyre me “çmimin më të mirë”, nëse ata nuk arrijnë një marrëveshje për ta shitur atë te një palë e tretë brenda 50 ditëve.

Rafineria është 44.85% në pronësi të Gazprom Neft, degë e kompanisë ruse Gazprom. Qeveria e Serbisë zotëron 29.87%, ndërsa kompania Intelligence me bazë në Shën Petersburg, e kontrolluar indirekt nga Gazprom, ka 11.3%. Pjesa tjetër u përket aksionerëve minoritarë.

Në janar, Thesari i SHBA-së njoftoi sanksione ndaj NIS për shkak të pronësisë ruse. Pas disa pezullimesh dhe vonesash, kufizimet hynë në fuqi më 8 tetor, me Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja që kërkoi largimin e pronarëve rusë nga rafineria.

NIS njoftoi javën e kaluar se negociatat për ndryshimin e strukturës së pronësisë po vijojnë dhe se, bazuar në këto bisedime, i kishte kërkuar përsëri Zyrës Amerikane të zgjaste licensën e operimit të kompanisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat