Rajoni Postuar më 19 Nëntor 2025, 11:11

Serbia garanton furnizimin me energji - Qeveria shqyrton masat për të parandaluar çrregullimet në treg

Nga Kristi Ceta

Serbia garanton furnizimin me energji - Qeveria shqyrton masat për të

Kryeministri serb, Djuro Macut, u takua me Ministren e Minierave dhe Energjisë, Dubravka Djedoviç Handanoviç, për të diskutuar situatën aktuale në këtë sektor. Ata shqyrtuan masat që po merr qeveria për të zbutur pasojat e sanksioneve amerikane ndaj kompanisë serbe të naftës NIS, me pronësi ruse.

Macut dhe Djedoviç Handanoviç theksuan se “furnizimi i produkteve energjetike në treg mbetet i qëndrueshëm dhe se masat e nevojshme për të ruajtur dërgesat e vazhdueshme të naftës dhe derivateve të saj analizohen çdo ditë,” sipas një deklarate të qeverisë.

Macut nënvizoi se “koordinimi i ngushtë midis të gjitha institucioneve shtetërore dhe reagimi në kohën e duhur është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të parandaluar çrregullime të mëdha në treg”.

Ndërsa Ministrja e Energjisë tha se shteti po punon për të siguruar furnizimin me 38,000 ton benzinë dhe rreth 66,000 ton naftë, si dhe 86,000 ton naftë të papërpunuar për rezervat shtetërore. Djedoviç Handanoviç informoi kryeministrin se zhvillimi i negociatave të kryera nga pronarët rusë me partnerë të mundshëm monitorohet çdo ditë, në mënyrë që të krijohen sa më shpejt kushtet për zgjatjen e licensës për operimin e NIS dhe Rafinerisë në Pançevë. Kjo e fundit, gjithashtu kërkon miratim nga administrata amerikane.

Deklarata gjithashtu nënvizoi se ministrja po “vlerëson situatën e tregut me kompanitë e naftës dhe po informon çdo ditë qeverinë, presidentin dhe publikun serb.”

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat