Rajoni Postuar më 16 Tetor 2025, 11:01

Serbia, e gatshme të blejë aksionet ruse të NIS - Por, Rusia preferon shitjen e kompanisë tek partnerë të huaj

Nga Kristi Ceta

Serbia, e gatshme të blejë aksionet ruse të NIS - Por, Rusia

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka propozuar që Beogradi të blejë pjesën në pronësi ruse të kompanisë së naftës NIS, por kjo ide u prit me pak entuziazëm, raportuan mediat serbe.

Vuçiç e bëri këtë propozim gjatë një takimi me drejtuesit e Gazprom Neft dhe zyrtarët rusë të Energjisë. Sipas mediave, Vuçiç tha se "kur situata në nivel ndërkombëtar të kthehet në normalitet, aksionet do të rikthehen sërish."

Por pala ruse nuk e mbështeti këtë propozim dhe është më shumë e prirur ta shesë pjesën e saj te një palë e tretë, ndoshta tek amerikanët, thanë mediat.

Më parë, Vuçiç kishte thënë se sanksionet amerikane ndaj NIS, që hynë në fuqi më 8 tetor, ishin të pashmangshme. "Do të ketë probleme me naftën bruto, por ne kemi rezerva të mjaftueshme," tha ai, duke shtuar se rafineria në Pançevë do të mund të funksionojë pa furnizim me naftë deri më 1 nëntor.

Kompania NIS, që është një filial i Gazprom Neft të Rusisë, u përfshi në listën e sanksioneve amerikane në fillim të vitit 2025. Në këtë kontekst, Vuçiç ka thënë se SHBA kërkon tërheqjen e plotë të kapitalit rus nga NIS. Ai po ashtu shtoi se qeveria serbe i ka dhënë kontrollin Gazprom Neft në vitin 2008, dhe gjatë viteve kompania ruse ka kontribuuar në gjenerimin e të ardhurave të konsiderueshme për buxhetin serb, si dhe në zhvillimin e shumë projekteve.

Aktualisht, aksionarët kryesorë të NIS janë Gazprom Neft me 44.85% dhe autoritetet serbe me 29.87%, ndërsa 11.3% të aksioneve të NIS i përkasin JSC Intelligence, e menaxhuar nga Gazprom Capital LLC, që mbulon investimet financiare të Grupit Gazprom.

NIS është kompania e vetme në Serbi që merret me eksplorimin dhe prodhimin e hidrokarbureve. Kompania ka një rafineri të madhe nafte në Pançevë dhe dominon tregun serb të produkteve të naftës. Ajo zotëron gjithashtu një rrjet prej më shumë se 400 stacionesh karburanti në Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari dhe Rumani.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat