Rajoni Postuar më 12 Shtator 2025, 09:28

Rritet paga minimale në Serbi - Qeveria konfirmon zgjerimin me 10% nga janari 2026

Nga Kristi Ceta

Rritet paga minimale në Serbi - Qeveria konfirmon zgjerimin me 10% nga

Qeveria e Serbisë do të rrisë pagën minimale mujore neto me 10.1%, duke e çuar atë në 64,554 dinarë (apo rreth 551 euro) që nga 1 janari, njoftoi Ministria e Financave. Kjo rritje do të vijë pas një tjetër zgjerimi prej 9.4%, që hyn në fuqi më 1 tetor dhe e çon rrogën minimale në 500 euro.

Gjatë negociatave që filluan muajin e kaluar, punëdhënësit kërkonin që paga të mbetej në nivelin prej 500 eurosh, duke argumentuar se kostot mbi ta ishin të larta, ndërsa sindikatat donin një pagë minimale prej 590 eurosh, për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë.

Ministria bëri të ditur se qeveria do të plotësojë pjesërisht kërkesat e punëdhënësve duke rritur pjesën e pagës që nuk tatohet me 20.4%. Rreth 90,000 persona punojnë me pagë minimale në vend.

Serbia i rrit zakonisht rrogat minimale çdo 1 janar. Këtë vit, për shkak të pakënaqësisë lidhur me çmimet e ushqimeve si dhe të protestave antiqeveritare pas incidentit në stacionin e trenit në Novi Sad, qeveria vendosi një rritje të jashtëzakonshme edhe në muajin tetor.

Për të lehtësuar pakënaqësitë, presidenti Aleksandar Vučić prezantoi muajin e kaluar masa të ndryshme për të përmirësuar fuqinë blerëse të qytetarëve, duke përfshirë kufizimin e marzheve të fitimit për shitjen e produkteve ushqimore dhe uljen e normave të interesit për kreditë konsumatore.

Në maj, shporta minimale e konsumit në Serbi kushtonte rreth 475 euro, sipas të dhënave nga ministria e tregtisë. Në korrik, inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit shkoi 4.9%, një rritje nga 4.6% i muajit paraprak.

Vendimi vjen në një moment kur Serbia ka rreth 2.37 milionë persona të punësuar, nga një popullsi prej rreth 6.59 milionë banorësh, sipas zyrës së statistikave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat