Rajoni Postuar më 11 Dhjetor 2025, 09:29

Rregulla të reja për punësimin sezonal - Në Maqedoninë e Veriut hyjnë në fuqi nga 1 janari 2026

Nga Kristi Ceta

Rregulla të reja për punësimin sezonal - Në Maqedoninë

Nga 1 janari 2026, në Maqedoninë e Veriut hyn në fuqi Ligji për Punësimin e Personave, një rregullore e re që synon të formalizojë punësimin sezonal dhe të krijojë kushte më fleksibile si për punonjësit, ashtu edhe për punëdhënësit. Sipas zyrtarëve, për herë të parë vendoset një kornizë e qartë dhe funksionale për angazhimet sezonale, duke synuar uljen e ekonomisë informale dhe rritjen e transparencës në tregun e punës.

Ligji u mundëson disa kategorive të qytetarëve të punojnë sezonalisht pa humbur statusin, apo të drejtat aktuale. Ndër ta janë pensionistët, të cilët mund të angazhohen pa humbur pensionin, studentët, që ruajnë statusin e tyre, të papunët, të cilët nuk e humbin të drejtën për ndihmë sociale, të punësuarit, që mund të sigurojnë të ardhura shtesë, të vetëpunësuarit, që mund të kryejnë punë shtesë në mënyrë të ligjshme.

Përfituesit mund të angazhohen në tre sektorë kryesorë: bujqësi, hoteleri dhe shërbime.

Një nga risitë kryesore është aplikacioni digjital për regjistrimin dhe çregjistrimin e punëtorëve sezonalë në kohë reale. Punëdhënësit do të mund të kryejnë procedurat brenda pak sekondave, gjë që pritet të reduktojë dukshëm punën “në të zezë”.

Ligji përcakton kufizime të qarta. 120 deri në 180 ditë angazhim sezonal në vit, në varësi të sektorit dhe deri në 15 ditë pune në muaj për secilin punonjës.

Sipas zyrtarëve, modeli fleksibël synon të ndihmojë bizneset gjatë periudhave të ngarkuara, si sezoni turistik apo ai bujqësor, ndërsa u jep individëve mundësi për të ardhura shtesë pa rrezikuar statusin profesional apo social.

Qëllimet kryesore të ligjit janë formalizimi i punës sezonale, ulja e ekonomisë gri, mbrojtje më e madhe ligjore për punëtorët, fleksibilitet më i madh për punëdhënësit, rritja e të ardhurave për individët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

Ky ligj pritet të ndikojë dukshëm në tregun e punës duke ofruar një zgjidhje të ligjshme, praktike dhe të sigurt si për bizneset, ashtu edhe për qytetarët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat