Rajoni Postuar më 10 Maj 2025, 11:35

Presidenti i KE Antonio Costa tur vizitash në rajon - Në agjendë Prishtina, Beogradi, Sarajeva, Podgorica dhe Shkupi

Nga SCAN TV

Presidenti i KE Antonio Costa tur vizitash në rajon - Në agjendë

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, do të vizitojë Ballkanin Perëndimor gjatë javës së ardhshme mes datave 12 dhe 16 maj, ku do të takohet me udhëheqësit politikë të partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të bashkëpritur samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Tiranë, i cili do të zhvillohet më 16 maj 2025.

Gjatë kësaj kohe, Costa pritet të theksojë rëndësinë e ndërtimit mbi vrullin e ri në procesin e zgjerimit dhe në marrëdhëniet BE–Ballkani Perëndimor.

“Forcimi i bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor është një përparësi e lartë politike për BE-në dhe për mua personalisht. Po vizitoj rajonin për të diskutuar me udhëheqësit mbi sfidat që vazhdojnë të jenë të pranishme dhe për të treguar se BE-ja është e gatshme të ndihmojë. Ekziston një vrull i qartë për zgjerimin – por vrulli ka nevojë për përkushtim dhe veprim konkret”, ka thënë Costa.

Costa do të vizitojë gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor, duke filluar zyrtarisht nga Beogradi të martën, më 13 maj. Ai do të takohet me presidentin Vuçiç, kryeministren Macut dhe deputetë të Parlamentit.

Po atë ditë do të udhëtojë në Sarajevë ku do t’u drejtohet trupave të misionit EUFOR Althea dhe do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës. Të mërkurën, më 14 maj, Presidenti Costa do të mbërrijë në Podgoricë për takime me Presidentin Milatoviç, Kryeministrin Spajiç. Në të njëjtën datë, pra me 14 maj, është paraparë që ai do të zhvillojë vizitë edhe në Kosovë, ku pritet të takohet me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu.

Të enjten, më 15 maj, Presidenti Costa do të udhëtojë në Shkup për takime me Kryeministrin Mickoski dhe Presidenten Siljanovska-Davkova.

Ndalimi i tij i fundit në Ballkanin Perëndimor do të jetë në Tiranë, ku më 15 maj do të takohet me Kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj.

Të premten, më 16 maj, Presidenti Costa do të bashkëpresë samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Tiranë. Tema e këtij samiti është: “Evropa e Re në një Botë të Re: Unitet – Bashkëpunim – Veprim i Përbashkët.” Takimi do të fokusohet në çështjet e sigurisë dhe udhëheqësit do të ndajnë vizionin e tyre për të ardhmen e Evropës, ndjekur nga tre tryeza tematike.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat