Rajoni Postuar më 15 Tetor 2025, 09:55

Mjedisi i rajonit, nga planet në veprim - Ministrat e Ballkanit Perëndimor miratojnë Deklaratën e Dubrovnikut

Nga Ernilda Luzi

Mjedisi i rajonit, nga planet në veprim - Ministrat e Ballkanit

Ministrat e Mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm nga Ballkani Perëndimor (BP) miratuan deklaratën e Dubrovnikut në Takimin e Dytë Ministror për Agjendën e Gjelbërt për Ballkanin Perëndimor.

Takimi u organizua nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në bashkëpunim me Ministrinë Federale të Gjermanisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), nën Partneritetin Rajonal për Klimën, me mbështetjen e Komisionit Europian, Qeverisë së Kroacisë dhe nën Kryesimin e Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të Procesit të Berlinit 2025.

Deklarata konfirmon përkushtimin e rajonit për të ndjekur Marrëveshjen e Gjelbërt Europiane. Ajo përfaqëson një moment kyç në ndërtimin e një Ballkani Perëndimor më të pastër, më të qëndrueshëm dhe më rezistent ndaj ndryshimeve klimatike.

Me miratimin e Deklaratës së Dubrovnikut, ministrat e Ballkanit Perëndimor miratuan katër dokumente kryesore rajonale:

Plani i Rishikuar i Veprimit për Agjendën e Gjelbërt 2025–2030, i cili zvogëlon numrin e veprimeve nga 58 në 41 dhe siguron përafrimin e rajonit me Marrëveshjen e Gjelbërt Europiane;

Udhërrëfyesi i Ballkanit Perëndimor për Përshtatjen me Klimën, që përcakton një vizion afatgjatë për qëndrueshmërinë dhe hapat drejt zhvillimit të një Strategjie Rajonale të Përshtatjes deri në vitin 2026;

Plani Rajonal i Veprimit për Parandalimin e Ndotjes nga Plastika, përfshirë dhe Mbetjet Detare, që synon mbrojtjen e mjedisit detar dhe lumor të Ballkanit Perëndimor 6;

Përmbledhja e Planit Strategjik të Biodiversitetit për Ballkanit Perëndimor, që vendos bazat për restaurimin e natyrës dhe përafrimin me Kornizën Globale të Biodiversitetit.

Këto dokumente përcaktojnë objektiva të matshme për rajonin, disa prej të cilave janë:

Deri në vitin 2028, Ballkani Perëndimor duhet të zvogëlojë përdorimin e plastikës njëpërdorimëshe më ndotëse me 80%.

Deri në vitin 2030, paketimet plastike duhet të përmbajnë të paktën 30% material të ricikluar dhe 40% e mbetjeve komunale duhet të riciklohen.

Rajoni duhet gjithashtu të mbrojë 30% të tokës dhe zonave detare, me të paktën 10% nën mbrojtje të rreptë.

Temperaturat mesatare në Ballkanin Perëndimor janë rritur tashmë me më shumë se 2°C, pothuajse dyfishi i mesatares globale. Rajoni përballet me më shumë thatësira, përmbytje dhe zjarre. Në vitin 2024, 11 nga 13 zjarret më të mëdha në Evropë ndodhën në Ballkanin Perëndimor.

Për t’u përshtatur, rajonit do t’i nevojiten rreth 37 miliardë dollarë investime gjatë dekadës së ardhshme. Megjithatë, përfitimet e mundshme vjetore deri në mesin e shekullit mund të arrijnë në 74 miliardë dollarë përmes kursimeve, qëndrueshmërisë dhe rritjes së qëndrueshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat