Rajoni Postuar më 20 Tetor 2025, 11:56

Malazezët “tundohen” nga interesat e ulëta - Kreditë personale janë rritur me mbi 20% gjatë vitit të fundit

Nga Kristi Ceta

Malazezët “tundohen” nga interesat e ulëta - Kreditë

Qytetarët e Malit të Zi po marrin më shumë kredi se kurrë më parë. Vetëm gjatë vitit të fundit, totali i kredive personale është rritur me mbi 20%.

Sipas Bankës Qendrore të Malit të Zi, motivi kryesor është niveli i interesave, që aktualisht janë më të ulëtat në 11 vitet e fundit. Një kontribut të veçantë në këtë trend, ka dhënë edhe nisma e marsit të vitit 2024, ku të gjitha bankat në vend filluan të ofrojnë norma të posaçme interesi. Më shumë se gjysma e kredive të reja, thekson Banka Qendrore, janë miratuar me kushte më të favorshme.

“Norma mesatare efektive e interesit për kreditë familjare në gusht të këtij viti ishte 7.08%, 40 pikë bazë më pak se vitin e kaluar. Ky është niveli më i ulët që nga viti 2014. Nga marsi 2024 deri në gusht 2025, normat efektive të interesit për kreditë e reja janë ulur me plot 177 pikë bazë,” thuhet në deklaratën e Bankës Qendrore.

Edhe pse normat më të ulëta të interesit janë më të favorshme në Mal të Zi krahasuar me disa vende të rajonit, autoritetet paralajmërojnë se kjo situatë nuk është pa rreziqe. Rritja e borxhit duhet të monitorohet me kujdes, theksojnë ata. Borxhi mesatar për një qytetar adult tani arrin në pothuajse 4,600 euro, rreth 800 euro më shumë se një vit më parë.

“Shuma që një qytetar mund të marrë hua varet drejtpërdrejt nga të ardhurat e tij. Prandaj bankat bëjnë një vlerësim të kujdesshëm të aftësisë kreditore përpara se të japin një kredi,” thekson Banka Qendrore.

Sa i përket mbrojtjes së të drejtave të përfituesve, institucioni specifikon se mbrojtja e qytetarëve do të përmirësohet më tej përmes disa projekteve, që do të synojnë veçanërisht grupet më të cenueshme, si përfituesit e ndihmës sociale.

Ligji për Kreditë Konsumatore, që hyn në fuqi më 29 nëntor, përfshin kufizimin e normave të interesit dhe heqjen e tarifave për përpunimin dhe shlyerjen e parakohshme të disa kredive, përfundon Banka Qendrore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat