Rajoni Postuar më 21 Tetor 2025, 10:45

Mal i Zi, aeroportet gjeneruan mbi 40 milionë euro - Gjysma e fitimeve të vitit 2024 shkoi për pagat e punonjësve

Nga Kristi Ceta

Mal i Zi, aeroportet gjeneruan mbi 40 milionë euro - Gjysma e fitimeve

Aeroportet e Malit të Zi kanë gjeneruar të ardhura prej 40.7 milionë euro në vitin 2024, që përfaqëson një rritje prej 18% krahasuar me vitin 2023, sipas pasqyrës financiare të vitit 2024, të miratuar nga qeveria në seancën e fundit.

Pjesa më e madhe e të ardhurave është realizuar nga aktivitetet ajrore dhe kap vlerën e 45.7 milionë eurove, por është ulur për shkak të zbritjeve të miratuara sipas skemës së stimujve, që në vitin 2024 arritën në 11.7 milionë euro.

Vitin e kaluar, qeveria kishte miratuar Planin Financiar të të Ardhurave dhe Shpenzimeve për vitin 2024, në të cilin parashikohej që fitimet e kompanisë do të arrinin në 40.43 milionë euro. Rezultati neto i arritur në vitin 2024 ishte 10.7 milionë euro, 12% më i lartë se në vitin paraprak, kur fitimi neto ishte 9.6 milionë euro, theksohet në dokument.

Për pagat e punonjësve janë shpenzuar 20.3 milionë euro, që përfaqëson një zgjerim prej 13% krahasuar me vitin 2023, edhe pse numri i të punësuarve në këtë kompani shtetërore u rrit vetëm me 2% gjatë vitit të kaluar.

Në deklaratë thuhet se në vitin 2024 ka vazhduar trendi pozitiv i rritjes së numrit të avionëve dhe pasagjerëve në të dy aeroportet, duke vendosur një rekord të ri me 2.88 milionë pasagjerë.

Në Aeroportin e Podgoricës janë mirëpritur 1,757,872 pasagjerë dhe në atë të Tivatit 1,124,203 persona. Fluturimet në linjën me Beogradin përbënin 24.2% të gjithë trafikut ajror të Aeroporteve të Malit të Zi. Pas saj vijnë Stambolli me 13.1% të totalit, Vjena me 5.3 % dhe Londra me 3.8%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat