Rajoni Postuar më 23 Tetor 2025, 09:52

“Fluturojnë” çmimet e banesave në Shkup - “Thyhet” kufiri prej 3 mijë euro për metër katror

Nga Kristi Ceta

“Fluturojnë” çmimet e banesave në Shkup -

Një blerës ka paguar 3077 euro për metër katror për një banesë prej 91 m² në lagjen Qendër të Shkupit, duke e tejkaluar për herë të parë kufirin prej 3000 euro për metër katror në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

Konkretisht, për këtë banesë janë paguar 280 mijë euro, ose 189.231 denarë për metër katror, sipas të dhënave të Agjencisë për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme për tremujorin e tretë të vitit 2025.

Sipas Regjistrit të çmimeve dhe qirave, gjatë periudhës korrik–shtator 2025 janë regjistruar 845 shitje të banesave të reja, 169 më shumë se në tremujorin e dytë. Lagjet më të kërkuara mbeten ato të Shkupit: Aerodromi (275 banesa të shitura), Qendra (236), Çairi (133), Gazi Baba (121), Kisela Voda (114) dhe Karposhi (103).

Në Kadastër janë të regjistruara edhe 26.463 leje ndërtimi aktive, që tregon se shumë objekte janë në ndërtim e sipër dhe pritet të dalin në treg së shpejti.

Sipas Bankës Popullore, çmimi i pasurive të paluajtshme në vend është rritur me 25,1% gjatë këtij viti, rritja më e madhe historike. Rritje e ngjashme prej 24% ishte regjistruar vetëm në vitin 2008, para se të ndodhte rënia e tregut.

Pas një pauze prej pesë vitesh, Agjencia e Kadastrës publikoi përsëri çmimet mesatare të banesave në Maqedoninë e Veriut. Banesa më e shtrenjtë e shitur në tremujorin e dytë të vitit 2025 ishte një apartament 96 m² në Qendër, që u shit për 260 mijë euro (rreth 2700 euro për m²).

Një ndër arsyet kryesore të rritjes është përdorimi i parave të padeklaruara (të zeza) për blerje pasurish. Sipas Bankës Botërore, në ekonominë joformale të Maqedonisë së Veriut qarkullojnë 700–800 milionë euro dhe një pjesë e madhe e tyre investohen në pasuri të paluajtshme për t’u legalizuar.

Po ashtu, pagesat e nënkontraktorëve mbi çmimet reale dhe huatë direkte për projektet e ndërtimit janë mekanizma që ndihmojnë në futjen e parave të dyshimta në sistem.

Sipas “Bloomberg Adria”, në sektorin e pasurive të paluajtshme në vitin 2024 janë qarkulluar mbi 1 miliard euro, me 22.548 transaksione gjithsej. Pothuajse pjesa më e madhe (490 milionë euro) i përkiste tregut të banesave 8.018 apartamente të shitura me vlerë totale më të lartë për 60 milionë euro krahasuar me vitin 2023.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat