Rajoni Postuar më 20 Dhjetor 2025, 11:18

Ajri i ndotur në Shkup - Tejkalohet pragu kritik në disa zona, autoritetet njoftojnë masa

Nga Kristi Ceta

Ajri i ndotur në Shkup - Tejkalohet pragu kritik në disa zona,

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka njoftuar se në disa pika matëse në Shkup është tejkaluar gjatë dy ditëve radhazi pragu kritik për grimcat e pezulluara me madhësi deri në 10 mikrometra (mbi 150 mikrogram/m³). Bëhet fjalë për pjesën e qendrës dhe zona të tjera si Gazi Babë, Karposh, Lisiçe dhe Rektorat.

Ministria ka dhënë një seri rekomandimesh për të përballuar situatën. Ajo kërkon që të intensifikohen mbikëqyrjet inspektuese ndaj instalimeve me Leje Ekologjike të Integruar të tipit A, si dhe kontrolle në terren të instalimeve me Leje Ekologjike të Integruar të tipit B dhe Elaborate. Instalimet me monitorim të vazhdueshëm duhet të mundësojnë qasje publike në të dhënat e matura.

Gjithashtu, ministria rekomandon intensifikimin e kontrolleve teknike të automjeteve, veçanërisht të atyre me djegie të brendshme dhe të automjeteve të paregjistruara, si dhe kontrollin e kantierëve të ndërtimit.

Punëdhënësit këshillohen të lirojnë nga puna gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç dhe ata me sëmundje kronike si astma, infarkt të kaluar të miokardit ose goditje në tru, me rekomandim të mjekut. Po ashtu, rekomandohet riorganizimi i orarit të punës, ku punonjësit që punojnë në ambiente të hapura të kryejnë aktivitetet nga ora 11:00 deri në ora 17:00.

Ministria gjithashtu sugjeron që të mos organizohen gara sportive apo manifestime kulturore në ambiente të hapura deri në përmirësimin e situatës.

Në këtë mënyrë, qytetarët dhe institucionet paralajmërohen për rrezikun nga ndotja e ajrit dhe duhet të ndërmarrin masa për të mbrojtur shëndetin publik.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat