Kosova Postuar më 21 Nëntor 2025, 09:53

Zgjedhjet “shpëtojnë” pagat e sektorit publik - Shpallja e datës zgjat buxhetin për dy muajt e parë të vitit 2026

Nga Kristi Ceta

Zgjedhjet “shpëtojnë” pagat e sektorit publik - Shpallja e

Mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor e ka shpëtuar sektorin publik nga mungesa e pagave në muajin janar dhe shkurt. Ligji për menaxhimin e financave publike mundëson zgjatjen buxhetore edhe për dy muajt e parë të vitit pasues, nëse zgjedhjet mbahen në 4 muajt e fundit të vitit fiskal.

Gjatë zgjatjes dymujore, çdo institucion merr rreth 16.7% të buxhetit të tij vjetor, në mënyrë që të vazhdojë funksionimin deri sa të miratohet buxheti i ri.

Më 20 nëntor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve pasi për dy herë radhazi, deputetët dështuan të zgjidhnin një ekzekutiv të ri.

Osmani, që mbajti konsultime me partitë politike, tha se në takimin e nuk u arrit dakordësi mes deputetëve për miratimin e zgjatjeve buxhetore, ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe buxhetet për tri komunat Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok.

Kosova po hyn në vitin 2026 pa miratim të buxhetit shtetëror, pavarësisht se qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti, e ka miratuar një projektligj. Partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë e kritikuan këtë vendim, duke thënë se Kurti si kryeministër në detyrë nuk mund të dërgojë në Kuvend, që ka përbërjen e një legjislature të re, projektligjin e përgatitur.

Vetë Osmani kishte shprehur shqetësim disa herë për mosmiratimin e buxhetit apo një projektligji për ndarje buxhetore, duke thënë se do të rrezikoheshin pagat e nëpunësve të sektorit publik. Ajo madje kishte thënë se do të ishte e gatshme të dërgonte në Kuvend një propozim për zgjatje buxhetore që të kishte buxhet “së paku deri në mars”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat