Kosova Postuar më 13 Tetor 2025, 10:19

Zgjedhjet lokale në Kosovë - Sa komuna fitoi secila parti në raundin e parë?

Nga Kristi Ceta

Zgjedhjet lokale në Kosovë - Sa komuna fitoi secila parti në

Në një atmosferë të qetë dhe pa incidente, qytetarët e Kosovës kanë votuar të dielën për të zgjedhur kryetarët dhe përbërjen e kuvendeve komunale. Me një pjesëmarrje prej 39.5 për qind, gara solli rezultate të ngushta në shumicën e komunave, që do të shkojnë në balotazh.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në këto zgjedhje kanë pasur të drejtë vote 2 milionë e 69 mijë e 98 qytetarë, prej të cilëve votuan mbi 800 mijë.

Në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë, gara mbetet e hapur, pasi asnjëri prej kandidatëve nuk siguroi mbi 50 për qind të votave. Rezultatet preliminare tregojnë se 21 komuna po shkojnë drejt përfundimit të garës që në raundin e parë.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar pa balotazh në Ferizaj, Skenderaj e Han të Elezit, por u thye në bastionin e saj historik, Drenas, nga kundërkandidati që deri para zgjedhjeve të fundit ishte pjesë e PDK-së, Ramiz Lladrovci.

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë mbi 50 për qind të votave në Kamenicë, Podujevë e Shtime. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Deçan e Klinë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka triumfuar në Istog e Lipjan.

Ndërkohë, Lista Serbe ka fituar pa balotazh në pjesën më të madhe të komunave me shumicë serbe, si në Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin-Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh e Mitrovicë të Veriut. Por kjo parti do të shkojë në balotazh në Kllokot.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës është më e ulët në krahasim me raundin e parë në vitin 2021, kur kishin votuar pak mbi 43 për qind të qytetarëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat