Kosova Postuar më 10 Nëntor 2025, 10:20

Zgjedhjet lokale në Kosovë - LVV dhe LDK fitojnë në total nga 7 komuna secila

Nga Kristi Ceta

Zgjedhjet lokale në Kosovë - LVV dhe LDK fitojnë në total

Beteja finale për pushtetin lokal në Kosovë është mbyllur të dielën me balotazhin e zhvilluar në 18 komuna. Mbi 32.5 për qind e qytetarëve kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë, një pjesëmarrje në rënie krahasuar me raundin e parë, ku shifra ishte rreth 40%.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kryesojnë me nga 7 komuna secila. Pas tyre renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 6 komuna, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 5 komuna.

Partitë më të vogla që kanë arritur të mbajnë nga një komunë janë Nisma Socialdemokrate, Partia Turke KDTP dhe PDKRL. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpallë rezultatet përfundimtare pas verifikimit të votave të diasporës.

Balotazhi e konfirmoi hartën e re politike të udhëheqjes së komunave. Vetëm në katër komuna me shumicë shqiptare do të ketë kryetarë të rinj pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor dhe balotazhit më 9 nëntor. Ndryshim të pushtetit ka në Mitrovicën e Jugut, Fushë-Kosovë e Obiliq. Në këto komuna kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti ka thënë se rezultati është një sukses i madh, duke marrë parasysh se të gjitha subjektet e tjera, sipas tij, ishin kundër kandidatëve të LVV-së. 

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e djeshme në 5 komuna: Prishtinë, Pejë, Junik, Dragash dhe Viti. Kjo parti në zgjedhjet e raundit të parë zhvilluar më 12 tetor kishte fituar edhe dy komuna të tjera.

Zgjedhjet lokale u zhvilluan në një kohë të paqartësive politike në nivel qendror, teksa mbetet e hapur çështja nëse Kosova do të ketë një qeveri të re apo do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo do të qartësohet deri më 19 nëntor, kur përfundon afati për mandatarin e LVV-së, Glauk Konjufca, që të formojë dhe paraqesë qeverinë në Kuvend.

Shqipëria 10 Nëntor Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan duket se ka humbur pikë gjatë fundjavës duke regjistruar zbritje në raport me javën që lamë pas teksa është blerë sot me 83 lekë dhe është......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat