Kosova Postuar më 10 Mars 2026, 18:31

Ushqime dhe shërbime më të shtrenjta, inflacioni në Kosovë arrin 6%

Nga SCAN TV

Ushqime dhe shërbime më të shtrenjta, inflacioni në

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se çmimet e konsumit në vend kanë shënuar rritje vjetore prej 6 për qind në muajin shkurt 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm brenda një muaji çmimet janë rritur mesatarisht për 0,6 për qind. Rritja e çmimeve po ndihet në shumë kategori të përditshme të konsumit, duke filluar nga ushqimet, shërbimet, deri tek kostot e transportit dhe mirëmbajtjes së shtëpisë. Kjo situatë po krijon shqetësim, pasi shtrenjtimi i vazhdueshëm po e bën gjithnjë e më të vështirë për shumë familje që të përballojnë shpenzimet mujore.

Sipas të dhënave, rritjet më të mëdha janë regjistruar te shërbimet që lidhen me pajisjet personale të transportit, të cilat janë shtrenjtuar për 42,5 për qind.

Një rritje e ndjeshme është vërejtur edhe te biletat e fluturimeve, që janë rritur për 39 për qind, ndërsa furnizimi me ujë dhe shërbimet që lidhen me vendbanimin janë shtrenjtuar për 33,4 për qind.

Në të njëjtën kohë, janë rritur ndjeshëm edhe çmimet e produkteve bazë ushqimore. Mishi është shtrenjtuar për 14,7 për qind, pemët për 16,4 për qind, ndërsa perimet për 6,4 për qind. Po ashtu rritje është shënuar edhe te kafeja, çaji dhe kakao me 9,3 për qind, si dhe te sheqeri, reçeli, mjalti dhe ëmbëlsirat me 7,4 për qind.

Edhe produktet e tjera të përdorimit të përditshëm kanë shënuar rritje. Qumështi, djathi dhe vezët janë shtrenjtuar për 5,6 për qind, ndërsa buka dhe drithërat për 5,2 për qind. Rritje është regjistruar edhe te shërbimet hoteliere me 9,5 për qind, shërbimet ambulantore me 9,6 për qind, si dhe te kujdesi personal me 6,6 për qind.

Shtrenjtimi nuk ka përfshirë vetëm ushqimet dhe shërbimet, por edhe kostot që lidhen me jetën e përditshme në shtëpi.

Çmimet e lëndëve djegëse të ngurta, si dru zjarri dhe pelet, janë rritur për 16,8 për qind, ndërsa mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit është shtrenjtuar për 15,1 për qind.

Megjithatë, në disa kategori është vërejtur edhe rënie e çmimeve. Karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal kanë rënë për 7,6 për qind në krahasim me vitin e kaluar, duke pasur një ndikim të vogël në uljen e inflacionit.

Në nivel mujor, pra në krahasim me janarin e këtij viti, çmimet janë rritur mesatarisht për 0,6 për qind. Rritjet më të mëdha janë shënuar sërish te shërbimet që lidhen me pajisjet personale të transportit, të cilat janë rritur për 24,4 për qind. Po ashtu janë shtrenjtuar edhe perimet për 5,8 për qind, pemët për 4 për qind dhe pajisjet audio-vizuele për 3,8 për qind.

Edhe në këtë periudhë janë vërejtur disa ulje të çmimeve. Biletat e fluturimeve kanë rënë për 18,2 për qind, energjia elektrike për 4,3 për qind dhe qumështi, djathi dhe vezët për 2,8 për qind.

Megjithatë, trendi i përgjithshëm mbetet shqetësues, pasi shumica e produkteve bazë dhe shërbimeve po vazhdojnë të shtrenjtohen.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat