Kosova Postuar më 9 Shkurt 2025, 12:15

Subjektet politike në Kosovë, me fokus te diaspora - Si do të përfshihen komunitetet shqiptare në programet e partive?

Nga Kristi Ceta

Subjektet politike në Kosovë, me fokus te diaspora - Si do të

Organizata joqeveritare Germin ka analizuar programet zgjedhore të partive kryesore në Kosovë për të vlerësuar përfshirjen e diasporës në politikat e tyre. Raporti përqendrohet në disa fusha kryesore, duke përfshirë pjesëmarrjen e diasporës në hartimin e programeve, rolin ekonomik, promovimin e kulturës dhe gjuhës shqipe, përfshirjen në politikën e jashtme, ofrimin e shërbimeve institucionale, si dhe nxitjen e kthimit të profesionistëve në vend.

Rezultatet tregojnë qasje të ndryshme të partive në këtë aspekt, nga masa konkrete për investime dhe shërbime institucionale deri te mungesa e përfshirjes së qartë në disa sektorë kyçë.

Programi i Lëvizjes Vetëvendosje për diasporën fokusohet në fuqizimin e pjesëmarrjes së saj në zhvillimin e vendit. Një nga masat kryesore është krijimi i “Dritares për Investime”, që synon të mbështesë investitorët nga jashtë me projekte deri në 100 milionë euro. Po ashtu, Vetëvendosje synon integrimin e Kosovës në sistemin SEPA për të lehtësuar transfertat financiare, duke eliminuar tarifat e larta dhe duke kursyer miliona euro nga remitancat. Një tjetër prioritet është ruajtja e gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës, përmes mësimit të strukturuar në bashkëpunim me Shqipërinë, duke e ofruar në të gjitha vendet me komunitete shqiptare.

Programi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) synon forcimin e lidhjeve dhe mundësive të bashkëpunimit ekonomik e shkëmbimeve kulturore. Një nga prioritetet kryesore është përmirësimi i shërbimeve konsullore përmes zgjerimit të tyre dhe përdorimit të teknologjisë për të thjeshtuar procedurat burokratike. Po ashtu, programi parashikon përfaqësimin e diasporës në institucionet e Kosovës, duke propozuar vende të garantuara në Kuvend dhe Qeveri. Për ruajtjen e identitetit kombëtar, PDK synon hapjen e qendrave kulturore dhe mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e komuniteteve. Një aspekt i rëndësishëm është angazhimi i diasporës në lobimin ndërkombëtar, duke e konsideruar atë një aktor kyç në promovimin e njohjes së Kosovës dhe tërheqjen e investimeve. Për më tepër, programi parasheh nxitjen e kthimit të profesionistëve përmes krijimit të programeve që lehtësojnë integrimin e tyre në tregun e punës në Kosovë.

Programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) synon të forcojë lidhjet dhe bashkëpunimin përmes iniciativave në transport, ekonomi, arsim dhe kulturë. Një nga propozimet kryesore është krijimi i një Aviokompanie Kombëtare për të lehtësuar lidhjet ajrore mes Kosovës dhe vendeve me komunitete të mëdha shqiptare. LDK vlerëson rolin ekonomik të diasporës dhe potencialin e saj për të tërhequr investime e stimuluar turizmin. Po ashtu, programi parasheh krijimin e programeve për shkëmbimin e njohurive dhe mentorimin nga profesionistë që jetojnë jashtë vendit, duke e konsideruar transferimin e njohurive si një element kyç për zhvillimin e Kosovës.

Në aspektin kulturor dhe politik, diaspora shihet si një faktor i rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e kulturës kosovare si dhe për lobimin ndërkombëtar. Për të mbështetur kthimin dhe integrimin e popullsisë, LDK propozon politika që lehtësojnë këtë proces dhe krijojnë mundësi për përfshirjen e saj në ekonominë vendase. Një tjetër iniciativë është themelimi i “Unionit të Bizneseve të Diasporës” për të forcuar bashkëpunimin mes bizneseve të komuniteteve dhe atyre lokale. Për më tepër, programi synon forcimin e bashkëpunimit me shoqatat dhe rrjetet për ruajtjen e identitetit dhe angazhimin e rinisë.

Ndërsa programi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) planifikon të krijojë një qasje strategjike për angazhimin e komuniteteve shqiptare në zhvillimin ekonomik dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës. Një nga prioritetet kryesore është investimi në potencialin ekonomik dhe turistik të vendit për të tërhequr investime nga shqiptarët jashtë vendit. Në këtë kuadër, AAK parashikon një plan veprimi për “Nation Branding”, i cili do të përfshijë strategji të komunikimit për promovimin e turizmit, si dhe diplomacinë ekonomike dhe publike. Në aspektin arsimor, rregullimi dhe përmirësimi i arsimit plotësues në diasporë konsiderohet prioritet në politikat e partisë, për të siguruar ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor. Strategjia për parandalimin e emigrimit dhe përfshin masa për kontrollin e emigrimit dhe subvencionimin e projekteve ekonomike të komuniteteve, duke synuar krijimin e kushteve më të favorshme për investime.

Analiza e programeve zgjedhore të partive kryesore në Kosovë tregon qasje të ndryshme ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, por edhe pika të përbashkëta që e njohin rolin e tyre të rëndësishëm. Megjithatë, mbetet e paqartë se si dhe në çfarë mase do të realizohen këto premtime në praktikë. Ndaj është e rëndësishme që diaspora të mbetet aktive në mbikëqyrjen dhe angazhimin e saj me institucionet e Kosovës, duke siguruar që zëri i saj të përkthehet në politika të prekshme dhe të zbatueshme.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat