Kosova Postuar më 5 Maj 2026, 10:02

“Sistemi financiar i Kosovës, i qëndrueshëm” - FMN vlerëson progresin në forcimin e kornizës së stabilitetit financiar

Nga Dorian Koça

“Sistemi financiar i Kosovës, i qëndrueshëm” - FMN

Një raport i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vlerësuar progresin e rëndësishëm të arritur nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në forcimin e mbikëqyrjes së sektorit financiar, mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, zbatimin e procesit të rishikimit dhe vlerësimit mbikëqyrës (SREP/SRP), testimit të qëndrueshmërisë, politikës makroprudenciale dhe qeverisjes institucionale. Po ashtu, raporti konfirmon se sistemi financiar i Kosovës mbetet përgjithësisht i qëndrueshëm, me banka të mirëkapitalizuara, nivel të ulët të kredive me probleme dhe rezerva të likuiditetit mbi kërkesat rregullative.

Raporti i FMN-së thekson se, që nga FSSR i parë, BQK-ja ka avancuar reforma të rëndësishme, përfshirë forcimin e mbikëqyrjes bankare të bazuar në rrezik, avancimin e kornizës së SREP, zbatimin e standardeve rregullative të ndërlidhura me Basel III, si dhe aktivizimin e instrumenteve makroprudenciale. Raporti gjithashtu njeh progresin në vendosjen e kornizës makroprudenciale, përfshirë përcaktimin e Bankave me Rëndësi Sistemike Vendore dhe vendosjen e Shtesës Kundërciklike të Kapitalit.

Raporti më tej vlerëson progresin e BQK-së në forcimin e aranzhimeve institucionale, kapaciteteve mbikëqyrëse, analizës së stabilitetit financiar dhe kornizave për gatishmëri ndaj krizave, duke ofruar një udhërrëfyes të qartë teknik për fazën e ardhshme të reformave. Këto rekomandime do të mbështesin përpjekjet e vazhdueshme të BQK-së për të avancuar më tej efektivitetin mbikëqyrës, monitorimin e rreziqeve sistemike, infrastrukturën e të dhënave, politikën makroprudenciale dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar.

BQK-ja mbetet e përkushtuar për zbatimin e reformave në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e Bashkimit Evropian, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e qëndrueshmërisë institucionale dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit financiar në Kosovë.

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat