Kosova Postuar më 30 Janar 2026, 10:01

Sërish shtrenjtim i energjisë në Kosovë? - KESCO kërkon rritje të çmimit prej 21.3%

Nga Dorian Koça

Sërish shtrenjtim i energjisë në Kosovë? - KESCO kërkon

Kompania për furnizim me energji elektrike në Kosovë, KESCO, ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) një kërkesë për rritje të çmimit të energjisë elektrike për vitin 2026 me 21.3 për qind.

Sipas aplikimit, të ardhurat maksimale të kërkuara nga KESCO për vitin 2026 arrijnë në 528.78 milionë euro, krahasuar me 435 milionë euro që ishin të lejuara për vitin 2025.

Sipas aplikimit zyrtar, kërkesa reflekton rritjen e ndjeshme të kostove të furnizimit me energji elektrike, veçanërisht si pasojë e varësisë më të madhe nga importi, rritjes së konsumit dhe kostove të rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe bartjes së diferencave financiare nga viti 2025.

Aktualisht, tarifa e ditës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh është 9.05 centë/kWh, ndërsa tarifa e natës është 3.88 centë/kWh. Për konsumin mbi këtë kufi, çmimi është 15.43 centë gjatë ditës dhe 7.28 centë natën.

Kujtojmë se në maj të vitit 2025, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin 2024. Në vitin 2023, ZRRE-ja aprovoi rritjen e çmimit të energjisë me 15 për qind.

Në vitin 2024, tarifat ishin ulur prej 8 për qind për konsumatorët familjarë që shpenzonin mbi 800 kilovatë, si dhe për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.

Vendimi përfundimtar për këtë kërkesë i takon ZRRE-së. Në rast se ZRRE-ja aprovon edhe këtë herë kërkesën e KESCO-s, atëherë do të jetë hera e tretë në katër vjetët e fundit që rritet çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat