Kosova Postuar më 31 Tetor 2025, 10:55

Rriten pensionet në Kosovë nga 1 nëntori - Qeveria në detyrë miraton edhe Projektbuxhetin 2026 prej 4 miliardë euro

Nga Kristi Ceta

Rriten pensionet në Kosovë nga 1 nëntori - Qeveria në

Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi Projektbuxhetin për vitin 2026 me vlerë prej 4 miliardë euro, nga të cilat 1 miliard euro janë të dedikuara për investime kapitale.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ky buxhet përfshin një sërë risish që synojnë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe forcimin e qëndrueshmërisë fiskale të shtetit. Një nga risitë kryesore sipas tij është dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik që kanë punuar së paku 12 muaj gjatë vitit.

Në këtë buxhet është përfshirë edhe rritja e pagës bazë me 0.5% për çdo vit përvojë pune, për dallim nga praktika e mëparshme kur për 15 vitet e para zbatohej rritje prej vetëm 0.25% për çdo vit përvojë. Kjo, sipas Kurtit, përkthehet në rritje të ndjeshme të pagës për çdo të punësuar në sektorin publik.

Kurti ka theksuar se projektbuxheti për vitin 2026 parashikon gjithashtu rritje të pensioneve, shtesave për fëmijë dhe lehona, si dhe pagesa shtesë për të rinjtë dhe gratë që angazhohen përmes platformës “Superpuna”. Ai përfshin gjithashtu përfundimin e reformës së asistencës sociale dhe rritje të mbështetjes për familjet dhe grupet në nevojë.

Sipas kryeministrit në detyrë, nga muaji nëntor, pensioni minimal do të rritet nga 120 në 150 euro, duke përfshirë rreth 200 mijë pensionistë në kategori të ndryshme, përfshirë ata me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e pensioneve familjare e invalidore të punës.

Lajm të mirë, Kurti e vlerësoi edhe rritjen e shtesave të fëmijëve me 50%, duke nisur nga muaji nëntor. “Një nënë me dy fëmijë që deri tani ka marrë 40 euro, nga muaji i ardhshëm do të marrë 60 euro. Një nënë me katër fëmijë që ka marrë 120 euro, nga nëntori do të marrë 180 euro në muaj”, tha Kurti.

Gjithashtu, Ministria e Financave ka propozuar edhe rritjen e pagës minimale, që pritet të ndikojë pozitivisht për rreth 150 mijë të punësuar në sektorin privat. Qeveria miratoi rritjen e saj në dy shkallë. Nga 1 janari paga minimale do të jetë 425 euro, kurse nga 1 korriku 2026 ajo do të bëhet 500 euro.

Kryeministri në detyrë tha se tani i takon Kuvendit dhe të gjithë deputetëve nga të gjitha subjektet politike që këtë buxhet ta miratojnë para se të shkohet në zgjedhje të reja, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e shtetit dhe të mos ndeshemi me situata ku shteti nuk ka buxhet të miratuar.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat