Kosova Postuar më 30 Tetor 2025, 11:55

Çmimi i energjisë mban “nën ankth” bizneset - Oda Ekonomike e Kosovës: Një rritje e mundshme do të shtojë sfidat financiare

Nga Kristi Ceta

Çmimi i energjisë mban “nën ankth” bizneset - Oda

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në fillim të shtatorit paralajmëroi rishikim të tarifave të energjisë elektrike, duke mos e bërë të qartë nëse do të ketë ngritje apo ulje të çmimit të rrymës. Si rrjedhojë, komuniteti i biznesit ka shprehur shqetësim të madh për ndikimin që një vendim i tillë mund të ketë në ekonomi, sidomos tek ndërmarrjet që kanë kaluar në tregun e hapur energjetik.

Burime nga Oda Ekonomike e Kosovës kanë thënë se bizneset tashmë po përballen me pasiguri të madhe për shkak të daljes në tregun e hapur.

“Ne si Odë kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme ligjore dhe demokratike për ta shprehur pakënaqësinë tonë me vendimin e dhunshëm të Zyrës së Rregullatorit për Energji për të dalë në treg të hapur, pa asnjë konsultim me bizneset, në lidhje me fazën e tranzicionit”, deklaruan zyrtarët. Ata paralajmërojnë se periudha e dimrit tradicionalisht sjell rritje të çmimeve të energjisë, gjë që mund të rëndojë më tej gjendjen financiare të ndërmarrjeve.

Në lidhje me çështjen, Oda Ekonomike ka ngritur padi në Gjykatën Supreme, ku do të mbahet seanca gjyqësore më 5 nëntor.

Në anën tjetër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, njoftoi se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me padinë kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shkak të shkeljeve në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë. Dhoma kujtoi se rritja e çmimit të energjisë prej 16.1% që hyri në fuqi më herët këtë vit tashmë ka ndikuar negativisht në ekonomi.

Kujtojmë se vendimi për liberalizimin e tregut hyri në fuqi më 1 qershor, pavarësisht kundërshtimeve nga bizneset. Ky vendim ka prekur 1.300 kompani të mëdha, që kanë më shumë se 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor prej mbi 10 milionë euro.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat