Kosova Postuar më 9 Shtator 2026, 19:23

Kuvendi i Kosovës zgjodhi kryetaren, Albulena Haxhiu, por pa nënkryetarët nuk konstituohet

Nga SCAN TV

Kuvendi i Kosovës zgjodhi kryetaren, Albulena Haxhiu, por pa

Pas më shumë se një muaj që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, Kuvendi i Kosovës zgjodhi kryetaren, Albulena Haxhiu, por jo edhe nënkryetarët e Kuvendit. Në këtë mënyrë Kuvendi akoma nuk konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur të gjitha strukturat e tij udhëheqëse.

Moskonstituimi i Kuvendit ndodhi për shkak se partitë politike nuk ranë dakord për mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit dhe mospajtimet ishin për emrat, të votohen në paketë, apo të votohen një nga një.

Reagime kishte edhe për propozimin e Listës Srpska, e cila e propozoi nënkryetarin e vet "në emër të popullit serb”. Kjo deklaratë ngjalli reagime nga partitë shqiptare dhe nga kryetarja e Kuvendit, e cila tha se propozimi nga Lista Srpska është i papranueshëm dhe antikushtetues, dhe kërkoi që kjo parti ta tërhiqte këtë deklaratë.

Për këtë shkak si dhe meqë për mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve nuk kishte dakordim, vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit u shty për fund të kësaj jave, ditën e premte.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës pritet t'i hapë rrugë formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së Presidentit, ndonëse për këtë të fundit akoma nuk është e qartë sesi do të procedohet.

Kryetare e Kuvendit u zgjodh Albulena Haxhiu, e cila vazhdon të jetë edhe ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës.Fotografi: Kosovo official publications for medi

Me 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenime, kryetare e Kuvendit u zgjodh Albulena Haxhiu, e cila njëkohësisht vazhdon të jetë edhe ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës.

Partia politike Aleanca i bojkotoi punimet e konstituimit të Kuvendit, duke thënë se konstituimi po bëhet duke shkelur kushtetutën.

Edhe për Partinë Demokratike të Kosovës procedura për konstituimin e Kuvendit po bëhet duke shkelur kushtetutën, pasi sipas tyre konstituimi sikurse e parashikon Kushtetuta, duhej të përfundonte qysh më 07.08. Megjithatë ata thanë se prania e tyre në sallë në seancën e sotme lidhet me datën 16 shtator, kur pritet të shpallet aktgjykimi nga Gjykata Speciale për ish-krerët e UÇK-së, të cilët akuzohen për krime lufte.

Zyrtarët e PDK-së thanë se pas datës 16 shtator ata do të kërkojnë interpretim nga Gjykata Kushtetuese, për kushtetutshmërinë e situatës rreth konstituimit të Kuvendit.

Ndonëse Kuvendi i Kosovës akoma nuk cilësohet i konstituuar, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha më herët se konstituimi i Kuvendit nuk i shmang zgjedhjet e reja në Kosovë.

"Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk i eviton zgjedhjet e reja, nëse nuk e zgjedhim edhe Presidentin. E për ta zgjedhur presidentin, ose presidenten, neve na duhet që t'i kemi dy të tretat, që kuorumi të jetë i pranishëm në Kuvend”, tha Kurti.

Më herët kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte arritur një marrëveshje me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për një emër konsensual për President. Por gjashtë deputetë të LDK-së vazhdojnë të jenë kundër kandidaturës së ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, për President, dhe kjo tani e bën të pamundur arritjen e 80 votave për ta zgjedhur President.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat