Kosova Postuar më 15 Prill 2025, 13:20

Kosovë, dështon konstituimi i kuvendit -Kurti jep dorëheqjen para betimit si deputet, por nuk verifikohen mandatet

Nga Kristi Ceta

Kosovë, dështon konstituimi i kuvendit -Kurti jep dorëheqjen para

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur seancën konstituive pas më shumë se dy muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.

Rendi i ditës përfshinte formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.

Si parti fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtën të propozojë kryeparlamentarin, i cili zgjidhet me 61 vota. Ndërkohë, Albin Kurti ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit para betimit si deputet. Këtë e ka bërë të ditur përmes një letre drejtuar Sekretariatit të Kuvendit.

“Që nga data 23 mars kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i qeverisë sonë, qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KQZ me datë 27 mars 2025 dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar”, thuhet në letër.

Deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të miratojnë raportin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandatave të deputetëve. Ky raport u kundërshtua nga Partia Demokratike, Lidhja demokratike e Kosovës e Aleanca për Ardhmërinë. Pro raportit të Komisionit të përkohshëm votuan 52 deputetë, kundër 46 dhe 11 abstenime.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e kanë votuar raportin e komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, pasi e vlerësojnë si antikushtetues. 

Pas kësaj, Kryesuesi i seancës së Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari ka ndërprerë seancën konstituive.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat